Botë
Kuvendi i Republikës së Kosovës, seancë solemne me rastin e 25-vjetorit të çlirimit
12.06.2024 14:41
Bashkimi Evropian është familja e synuar politike, kurse NATO-ja është destinacioni ushtarak i Kosovës...

Bashkimi Evropian është familja e synuar politike, kurse NATO-ja është destinacioni ushtarak i Kosovës. Kështu ka deklaruar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në seancën solemne kuvendore me rastin e 25-vjetorit të çlirimit.
“Sikur atëherë, edhe tani Serbia rri e rreshtuar prapa Rusisë. Kosova ka shkuar në vazhdimësi duke forcuar aleancat e saja me vendet partnere. BE-ja është familja jonë e synuar politike, kurse NATO-ja është destinacioni ynë ushtarak. Pikërisht se kemi vuajtur dhe kemi humbur, tash duam që Kosova e të gjithë qytetarëve ta gëzojnë, shumica shqiptare me pakicat. Duam marrëdhënie të mira fqinjësore, e njohje, pa sulme. Kurrë më të lirë e të pavarur nuk kemi qenë.”, - deklaroi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Presidentja Vjosa Osmani, në këtë seancë deklaroi se në qershor të vitit ’99 u shembën muret e tiranisë, duke hapur rrugën jo vetëm për një Kosovë të lirë, por edhe të pavarur e demokratike. Atë ditë afër 38 mijë ushtarë nga 36 vende komunikuan me gjuhën universale të lirisë, tha Osmani, duke shprehur falënderimin e Kosovës për intervenimin e NATO-s.
“Kur paqeruajtësit e KFOR-it shkelën në tokën e Kosovës të përgjakur, të dërrmuar e të shkatërruar, atëherë lotët, britmat e lulet u shndërruan në përqafime që i pritën ushtarët e NATO-s. Ato krijuan simfoninë e emocioneve të lirisë. Kolonat e makinerisë ushtarake, zhurma e helikopterëve të NATO-s, uniformat me flamuj të shumtë që simbolizonin lirinë e jo urrejtjen e dhunën, të gjitha këto u shndërruan në simbol të shpëtimit të popullit të Kosovës nga shfarosja që synonte regjimi gjenocidal i Serbisë.”, - theksoi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Osmani theksoi edhe kontributin e UÇK-së dhe presidentit Ibrahim Rugova për liri e pavarësi, si dhe heroizmin e papërsëritshëm të komandantit Adem Jashari dhe gjithë familjes Jashari. Presidentja Osmani po ashtu tha se Kosova nuk do t'i harrojë kurrë edhe dëshmorët e UÇK-së, si dhe mbi 13 mijë të vrarët gjatë luftës, në mesin e të cilëve 1.133 fëmijë. Po ashtu më shumë se 1.600 persona konsiderohen ende të pagjetur. Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, duke folur në Kuvendin e Kosovës ka paralajmëruar se Serbia dhe aleatët e saj kanë mobilizuar kapacitetet diplomatike e mediale për ta njollosur luftën e drejtë të shqiptarëve, prandaj ka kërkuar që shqiptarët të jenë të bashkuar.
“Ne kemi nevojë që të jemi bashkë, nuk mund të lejojmë që krimi të shfaqet si virtyt. Historia na njeh shqiptarët si paqedashës, ne sot kemi përgjegjësinë për të forcuar paqen. Aspiratat tona për integrim janë më të forta se kurrë dhe do të vazhdojmë pa u lodhur për të realizuar këtë objektiv. Kauza e Kosovës nuk ka përfunduar. Shqipëria ka punuar dhe do të punojë për të zgjeruar numrin e vendeve për njohjen e shtetit të Kosovës dhe anëtarësimin në organizata të ndryshme dhe për të zbuluar të vërtetën ende të panjohur për gjenocidin në Kosovë. Çdo betejë e juaja është beteja jonë.”, - u shpreh presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj.
Dita e çlirimit të Kosovës, 12 Qershori, lidhet me futjen e ushtarëve të KFOR-it dhe largimin e forcave serbe, pas një fushate bombarduese të NATO-s, që zgjati 78 ditë, dhe përfundoi më 10 qershor të vitit 1999, pas miratimit të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
GYLTENE SINANI
