Maqedoni

RMV-ja e kapluar nga vala afrikane, nga e enjtja pritet ndryshimi i motit

12.06.2024 15:00

Maqedonia e Veriut është kapluar për të dytën ditë me radhë nga vala afrikane e të nxehtit...

Maqedonia e Veriut është kapluar për të dytën ditë me radhë nga vala afrikane e të nxehtit. Juglindja e vendit, Gjevgjelia, Bogdanca dhe Dojrani, dje dhe sot janë në fazën portokalli, pjesa tjetër e vendit në alarmin e verdhë.
 
Qeveria miratoi masa për parandalimin e pasojave nga vala e të nxehtit. Në viset me alarm-portokalli lirohen nga puna gratë shtatzëna dhe personat mbi 60 vjeç, kurse nëpër çerdhet e fëmijëve rekomandohet që të mos praktikohen aktivitete fizike dhe të shmangen ambientet e hapura nga ora 11:00 deri 17:00. Vala e të nxehtit ka shkaktuar edhe praninë e shtuar të gjarpërinjve nëpër vendbanime. Nga Qendra për Menaxhim me Kriza kanë bërë thirrje që qytetarët të kenë kujdes dhe në rast se kafshohen nga gjarpërinjtë të paraqiten në numrin 112, ku do të lidhen me Urgjencën.
 
Sipas njoftimeve të Drejtorisë për Punë Hidrometeorologjike, edhe në ditët në vijim do të mbisundojë mot me diell dhe i nxehtë me vranësira të vogla deri në mesatare, ndërsa në orët e pasdites do të ketë paraqitje të izoluar të shiut të rrëmbyeshëm dhe bubullimave. Temperatura gjatë fundjavës do të jetë në rritje graduale. 
 
VLORA LATIFI TOPOJANI