Maqedoni

Osmani: Qeveria e re ta respektojë Marrëveshjen e Prespës

12.06.2024 15:45

Ministri i Jashtëm, Bujar Osmani, nuk ka marrë notë apo reagim tjetër zyrtar nga Greqia...

Ministri i Jashtëm, Bujar Osmani, nuk ka marrë notë apo reagim tjetër zyrtar nga Greqia, përveç atyre gojarisht që i përcjellin politikanët e pushtetit helen, lidhur me përdorimin e emrit kushtetues të vendit që u aktualizua pas dhënies së betimit solemn të presidentes, Gordana Siljanovska Davkova. Në këtë drejtim, Osmani nënvizon joharmonizim të komunikatave të presidencës me Kushtetutën dhe Marrëveshjen e Prespës.
 
“Emri kushtetues i shtetit është Maqedonia e Veriut dhe çdo përdorim tjetër i emrit është jashtëkushtetutes. Shoh edhe komunikatat nga institucionet zyrtare shtetërore ku presidentja quhet “presidentja maqedonase” në komunikatën zyrtare të presidencës. Sipas Marrëveshjes së Prespës, mbiemri “maqedonas” mund të përdoret vetëm në kontekst etnik, e jo shtetëror.”, - deklaroi ministri i Jashtëm, Bujar Osmani.
 
Osmani me këtë rast këshillon Qeverinë e ardhshme që ta respektojë Marrëveshjen dypalëshe mes vendit dhe Greqisë derisa kjo është realitet.
 
“Nëse kanë mënyrë ta ndryshojnë realitetin, le të urdhërojnë. Ky është  proces demokratik, por megjithatë, derisa nuk e ndryshojnë realitetin, kjo kushtetutë duhet të respektohet. Mund të keni qëndrim se në të ardhmen do të punoni për ta ndryshuar emrin, Marrëveshjen e Prespës, siç thuhet se do ta ndryshojnë kornizën negociuese, por deri në atë moment duhet të respektohet. Të presim se cili do të jetë qëndrimi i Qeverisë. Këshilla ime është që të respektohet.”, - theksoi ministri i Jashtëm, Bujar Osmani. 
 
Çështjet bilaterale mes Shkupit dhe Athinës do të diskutohen nesër mes ministrit Osmani dhe zëvendësministres së Greqisë, në kuadër të samitit të krerëve të shteteve dhe qeverive pjesëmarrëse të procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU