Botë
Vazhdojnë luftimet në Rripin e Gazës, Guterres: Tmerri duhet të ndalet
12.06.2024 16:01
Ushtria izraelite po kryen sulme intensive në kampin e refugjatëve Shabura në qytetin Rafah...

Ushtria izraelite po kryen sulme intensive në kampin e refugjatëve Shabura në qytetin Rafah në jug të Rripit të Gazës ndërkohë që janë shënuar përleshje mes ushtarëve izraelitë dhe anëtarëve të rezistencës palestineze në kamp. Dhjetëra civil palestinez janë vrarë nga këto përleshje dhe qindra të tjerë janë plagosur. Shifrat e sakta akoma nuk dihen, sepse shumë trupa janë nën rrënoja. Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, ju bëri thirrje palëve që të respektojnë detyrimet e tyre sipas ligjit ndërkombëtar.
“Tmerri duhet të ndalet. Është koha e fundit për një armëpushim së bashku me lirimin pa kushte të pengjeve. Unë mirëpres iniciativën e paqes të përshkruar së fundmi nga presidenti Bajden dhe u bëj thirrje të gjitha palëve që të shfrytëzojnë këtë mundësi dhe të arrijnë një marrëveshje. Dhe u bëj thirrje të gjitha palëve që të respektojnë detyrimet e tyre, sipas ligjit ndërkombëtar humanitar.”, - deklaroi sekretari i përgjithshëm, Kombet e Bashkuara, Antonio Guterres.
Edhe kryeministri spanjoll, Pedro Sançes, tha se presioni ndërkombëtar ndaj Izraelit duhet shtuar, pasi qeveria e Netanjahut i ka shkelur rregullat e luftës dhe nuk i përfill thirrjet e organizatave ndërkombëtare.
“Rezolutat e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara janë të detyrueshme dhe duhet të respektohen dhe e dyta është se masat paraprake të shpallura nga prokurori i GjND-së, për të ndaluar bombardimet dhe ndërhyrja ushtarake në Rafah janë gjithashtu të detyrueshme dhe duhet të respektohen. Fatkeqësisht, ne nuk po e shohim këtë nga Qeveria e Netanjahut. Prandaj besoj se është shumë e rëndësishme të shtohet presioni nga bashkësia ndërkombëtare që kjo luftë të përfundojë njëherë e përgjithmonë.”, - theksoi kryeministri i Spanjës, Pedro Sançez.
Në sulmet që Izraeli ka kryer në Rripin e Gazës që nga 7 tetori e deri më tani janë vrarë 37.164 palestinezë, mes të cilëve të paktën 15.517 fëmijë dhe 10.279 gra, ndërsa janë plagosur 84.832 persona të tjerë. Nën rrënoja ende ka mijëra të vdekur, ndërsa po shkatërrohet infrastruktura civile duke u shënjestruar spitalet dhe institucionet arsimore ku është strehuar popullata.
FARIJE DAUTI BAKIJU
