Kulturë

ITKSh, promovohet “Biografia e Karl Gegës” në shqip

15.04.2015 16:27

“Biografia e Karl Gegës” është titulluar monografia historike e përkthyer nga gjuha gjermane...

Karl Gega është një inxhinier shqiptar, veprat e të cilit i kanë si shembuj shumë popuj.
 
Ai radhitet në piedestalin e njerëzve më të shquar të perandorisë austriake. Ai projektoi hekurudhën jugore të Semeringut, të cilën Unesko e shpalli si trashëgimi botërore.
 
Shembulli i tij, i  cili fillimisht u kundërshtua si i parealizueshëm në atë kohë, tani ndiqet nga shumë inxhinierë evropianë dhe botërorë.
 
“Ne si shqiptarë krenohemi se kemi pasur një personalitet të tillë, i cili ka kontribuar në novacionet e shekullit të XIX, të cilat refleksione i kemi në ditët e sotme dhe i falënderojmë që përzgjodhën institutin tonë për promovimin e librit”- deklaroi drejtori i ITKSh-së, Skender Asani.
 
“Ambasadori premtoi se do të na ndihmonte për realizimin e këtij libri kaq të rëndësishëm për ne si shoqatë. Pas disa javësh, ambasadori jo vetëm që siguroi të drejtën e autorit  për përkthimin e librit, por bashkoi edhe ambasadat në Shkup, Prishtinë dhe Tiranë për ta mbështetur përkthimin e librit”- tha përkthyesi, Kujtim Xhila.
 
“Për të rikujtuar talentin e tij të pazakontë, shteti austriak ka ndërtuar bustin e tij në Muzeun Teknologjik të Vjenës, përmendore në stacionin hekurudhor “Zemering”, është shkruar roman për veprat e tij gjeniale dhe figura e tij qëndron edhe në shilingat austriake të emetuara nga Banka Popullore e Austrisë”- theksoi ambasadori i Austrisë në Maqedoni, Tomas Majkll Bair.
 
“Vitet e fundit gjeodezistët shqiptarë arritën të lartësojnë veprën e Karl Gegës, duke e bashkuar kombin dhe profesionin në një pikë të përbashkët, duke shkrirë kufijtë politik, duke lartësuar gjeodezinë”- u shpreh kryetari i Shoqatës së Gjeodezistëve, Bashkim Idrizi.
 
Botimi i biografisë në gjuhën shqipe u realizua me bashkëpunim të ambasadorëve austriakë në Tiranë, Prishtinë dhe Shkup, të cilët financuan projektin e Shoqatës Mbarëkombëtare të Gjeodezistëve Shqiptarë, Karl Gega.
 
FLUTURA LATIFI