Botë

Berlin, dita e dytë e Konferencës për rimëkëmbjen e Ukrainës, territori ukrainas nën flakë nga sulmet ruse

12.06.2024 16:49

Në ditën e dytë të Konferencës për rimëkëmbjen e Ukrainës në Berlin, derisa Gjermania dhe BE-ja...

Në ditën e dytë të Konferencës për rimëkëmbjen e Ukrainës në Berlin, derisa Gjermania dhe BE-ja janë të unifikuara në qëndrimin e tyre për ta ndihmuar Kievin, territori ukrainas është nën flakë. Për gati dy orë forcat ruse kanë sulmuar kryeqytetin ukrainas me raketa lundrimi, ato balistike dronë. Polonia ka bërë gati avionët luftarakë si masë kujdesi, ndërsa luftime të ashpra po zhvillohen në Donjeck dhe Harkiv. Forcat mbrojtëse të Kievit theksuan se janë duke zmbrapsur me sukses ofensivën e Moskës, veçanërisht pasi që ShBA-ja lejoi përdorimin e armëve të saj në tokën ruse.
 
“Me lejen për përdorimin e armëve në territorin rus, situata me logjistikën e agresorit tonë ka ndryshuar ndjeshëm. Filluan të lëvizin më pak aktivisht në këtë drejtim.”, - u shpreh komandanti i Divizionit të Artilerisë në Brigadën Hartia.
 
Autoritetet ruse, nga ana tjetër, konfirmuan viktima dhe të plagosur në sulmin ukrainas në Belgorod.
 
“Qyteti Shçebekino u granatua natën. Një civil u vra nga një goditje e drejtpërdrejtë nga një granatë, ndërsa tre u plagosën nga minat tokësore në zonën kufitare.", - theksoi guvernatori i Belgorodit, Viaçeslav Gladkov.
 
ShBA-ja ka njoftuar se do t'i ofrojë Ukrainës një sistem tjetër "Patriot", ndërsa në Gjermani vazhdon trajnimi i ushtarëve ukrainas për përdorimin e tyre.
 
“Është e vështirë të stërvitesh në Ukrainë. Siç tha ministri, ne kemi nevojë për më shumë pajisje për të mbrojtur këto sisteme. Nëse është e mundur ta sjellim atë në Ukrainë, unë e mbështes.”, - deklaroi presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski. 
 
Në samitin në Uashington, gjatë muajit të ardhshëm, presidenti i ShBA-së Bajden dhe aleatët pritet të bien dakord për një sistem të ri për ndihmë afatgjatë të sigurisë dhe trajnim ushtarak për Ukrainën. Shefi i NATO-s, Stoltenberg, tha se Hungaria kishte rënë dakord të mos vërë veton ndaj ndihmës së aleancës për Kievin, por Budapesti nuk do të sigurojë asnjë personel apo fonde për të ndihmuar vendin.
 
“Orban e ka bërë të qartë se Hungaria nuk do të marrë pjesë në këto përpjekje të NATO-s dhe unë e pranoj këtë qëndrim. Ne ramë dakord për kushtet për mospjesëmarrjen e Hungarisë në mbështetjen e NATO-s për Ukrainën.”, - theksoi sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg. 
 
“Dihet mirë se qëndrimi i Hungarisë ndryshon nga shumica e vendeve anëtare të NATO-s. Ne morëm garanci se në rast të një lufte Ukrainë-Rusi, nuk do të duhet të marrim pjesë në asnjë aksion ushtarak jashtë territorit të Hungarisë.”, - u shpreh kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban. 
 
Nga Uashingtoni thonë se në takimin e G7-ës, që fillon nesër në jug të Italisë, do të vendoset theks në përkushtimin ndaj Ukrainës.
 
LEUNORA KALIQI