Ekonomi

Maqedoni-Shqipëri, Fondet IPA 12 milion euro për zhvillim të zonës kufitare

15.04.2015 16:36

Me rreth 12 milion euro nga Fondet IPA, Bashkimi Evropian do ta nxisë bashkëpunimin ndërkufitar midis Maqedonisë dhe Shqipërisë...

Me rreth 12 milion euro nga Fondet IPA, Bashkimi Evropian do ta nxisë bashkëpunimin ndërkufitar midis Maqedonisë dhe Shqipërisë në periudhën prej vitit 2014 deri në vitin 2020.
 
10,7 milion euro do t’u  dedikohen projekteve të caktuara me të cilat pritet të stimulohet një zhvillim ndërkufitar socio-ekonomik, i balancuar dhe gjithëpërfshirës, nënvizuan ministrja për Integrime Evropiane e Shqipërisë, Klajda Gjosha, dhe nikoqiri i saj në Strugë, ministri i Pushtetit Lokal, Lirim Shabani.
 
“Qëllimi kryesor i IPA programit të ri për bashkëpunim ndërkufitar, Republika e Maqedonisë - Republika e Shqipërisë, është të nxisë zhvillim më të ekuilibruar, gjithëpërfshirës dhe zhvillim të qëndrueshëm socio-ekonomik të zonës kufitare dhe ajo është hartuar bazuar në analiza të hollësishme”- deklaroi ministri i Pushtetit Lokal, Lirim Shabani.
 
“Qytetarët tanë në të dy vendet, pavarësisht se ku jetojnë, dëshirojnë të kenë një ambient më të sigurt social, ku gjithsecili të ketë mundësi të barabarta. Në këtë drejtim, objektivi i përgjithshëm i programit të ri BNK është të nxisë një zhvillim socio-ekonomik më të balancuar, gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm të zonës kufitare”- tha ministrja për Integrime Evropiane e Shqipërisë, Klajda Gjosha.
 
Ky program do të fokusohet në zhvillimin e turizmit dhe trashëgimisë kulturore, përmirësimin e konkurrencës, tregtisë dhe investimeve, mbrojtjen e ambientit jetësor, si dhe projekte të tjera nga fusha të ndryshme.
 
Në promovimin e projektit morën pjesë edhe ambasadorët e BE-së në Shkup dhe Tiranë, Aivo Orav dhe Romana Vlahutin. 
 
NAIM RAMADANI