Argjentinë, protesta të dhunshme kundër Qeverisë, dhjetëra të plagosur

13.06.2024 12:15

Mijëra njerëz të mbledhur para Kongresit...

Mijëra njerëz të mbledhur para Kongresit në kryeqytetin Buenos Aires reaguan ashpër ndaj paketës së reformës ekonomike të Qeverisë dhe u përplasën me policinë. Forcat e sigurisë iu përgjigjën me gaz lotsjellës dhe ujë protestuesve, të cilët sulmuan me kokteje molotovi dhe gurë.

Gjatë incidenteve u plagosën 40 persona dhe u ndaluan 30 aktivistë. Forcat përforcuese të sigurisë u dërguan pasi protestuesit marshuan drejt kongresit. Duke folur në një seancë financiare të mbajtur në Buenos Aires, presidenti Milei tha: “Këto ligje janë diskutuar prej 6 muajsh. Nëse do të miratoheshin shpejt, procesi i përshtatjes do të ishte më pak i dhimbshëm, por politikës nuk i intereson kjo.”. Me këtë ligj, qeveria e presidentit Milei synon të bëjë më dominante ekonominë e tregut të lirë dhe të reduktojë ndërhyrjen e shtetit.

Qeveria, e cila dëshiron që investimet e sektorit privat të rriten, dëshiron të zbatojë edhe privatizimet. Paketa e reformës ekonomike, e cila u konsiderua si një nga premtimet më të mëdha zgjedhore të presidentit Milei, u miratua me shumicë votash në Dhomën e Përfaqësuesve në prill.

Ligji, i cili ende po diskutohet në Senat, është kritikuar ashpër nga deputetët e opozitës.