Hamasi: Përpjekja e Blinkenit për të shfajësuar Izraelin paraqet bashkëpunim në gjenocid

13.06.2024 13:43

Hamasi tha se përpjekja e sekretarit të Shtetit të ShBA-së, Antoni Blinken...

Hamasi tha se përpjekja e sekretarit të Shtetit të ShBA-së, Antoni Blinken, për të shfajësuar Izraelin nga shkelja e marrëveshjes së armëpushimit në Gazë është vazhdim i politikës së vendit të tij për bashkëpunim në “gjenocidin” e kryer në Rripin e Gazës.

Hamasi “e ka marrë në konsideratë propozimin e paraqitur, të gjitha sugjerimet për arritjen e marrëveshjes së armëpushimit dhe lirimin e të burgosurve pozitivisht dhe me përgjegjësi kombëtare”, thuhet më tej.

“Bota nuk dëgjoi asnjë shprehje kënaqësie nga Netanjahu dhe qeveria e tij në lidhje me vendimin e KS-së të OKB-së dhe se Izraeli vazhdon të refuzojë çdo armëpushim të përhershëm në Gazë, duke kundërshtuar qartë propozimin e presidentit amerikan, Xho Bajden.”, thuhet në deklaratën e Hamasit.

Në konferencën për media që mbajti në Shtëpinë e Bardhë më 31 maj, Bajdeni njoftoi se Izraeli kishte bërë një propozim të ri në lidhje me armëpushimin dhe të burgosurit në Gazë.

Hamasi njoftoi se ia kishte përcjellë Egjiptit dhe Katarit përgjigjen e tij ndaj propozimit të armëpushimit të Izraelit në Rripin e Gazës, të shpallur nga Bajdeni.

Në përgjigjen e tij ndaj planit të armëpushimit, Hamasi tha se i jepte përparësi përfundimit të sulmeve të Izraelit dhe pushtimit të Gazës dhe se “ka treguar qasje pozitive ndaj marrëveshjes që do t’i japë fund luftës”.