Liderët e G7-ës i japin Ukrainës 50 miliardë dollarë hua, Stoltenberg: NATO-ja shqyrton financimin afatgjatë

13.06.2024 14:17

Liderët e shtatë vendeve më të industrializuara në botë (G7)...

Liderët e shtatë vendeve më të industrializuara në botë (G7) u pajtuan t’ia japin Ukrainës 50 miliardë dollarë hua, duke i përdorur asetet e ngrira ruse.

Diplomatët konfirmuan se pajtueshmëria për këtë marrëveshje u arrit madje para se liderët të mbërrinin në Itali për samitin treditor të G7-ës. Hollësitë e marrëveshjes do të diskutohen gjatë takimit të tyre në Itali, por Kievi pritet t’i marrë paratë kah fundi i këtij viti.

Vendet e G7-ës, Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia, Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara, ngrinë asete ruse në vlerë prej rreth 300 miliardë dollarësh, pak pasi Moska nisi pushtimin e fqinjit të saj në shkurt të vitit 2022. Edhe NATO-ja në Samitin e korrikut do të shqyrtojë mundësinë për një financim afatgjatë.

“Pres që ministrat e NATO-s do të sigurojnë plan për ndihmë të sigurtë dhe trajnim të NATO-s për Ukrainën. Do të diskutojmë për një angazhim financiar afatgjatë për të cilin pres që liderët tanë të arrijnë në një marrëveshje në samitin e NATO-s, në korrik. Ukraina ka të drejtë për vetëmbrojtje dhe e drejta për vetëmbrojtje përfshin edhe goditjen e objektivave të ligjshme ushtarake në territorin e agresorit. Vetëmbrojtja nuk është përshkallëzim dhe ne kemi të drejtë ta ndihmojmë Ukrainën ta mbajë atë të drejtë.”, - deklaroi sekretari gjeneral i NATO-s, Jens Stoltenberg.

Në fillim të kësaj jave, Zelenski tha se pret që t’i sigurojë miliarda euro nga vendet aleate për mbrojtjen e Ukrainës dhe për rindërtimin e vendit të vet pas luftës. Presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski, pritet

të nënshkruajë një marrëveshje tjetër dypalëshe për sigurinë me presidentin e Shteteve të Bashkuara, Xho Bajden.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra. Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre. (Ardita Ramadani, TVM2)