Integrimi evropian i Kosovës, Bislimi: Pengesë, pesë vendet mosnjohëse të BE-së
Pengesë që Kosova të marrë statusin e vendit kandidat...

Pengesë që Kosova të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian janë pesë shtetet mosnjohëse, deklaroi zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi. Sipas tij, Kosova është e përgatitur për marrjen e këtij statusi dhe Serbia nuk mund të jetë pengesë në këtë proces.
“Serbia nuk është pengesë për neve, Serbia ka problemet e veta me integrimet evropiane, nuk ka kapituj të çelë për vite. Te ne pengesë më shumë janë 5 vendet mosnjohëse, të cilët nuk po lejon ende që të ndërtohet konsensusi brenda Këshillit, i cili kërkon dërgimin e pyetësorit tek Komisioni Evropian, në mënyrë që të vlerësohen kapacitet e Kosovës për të filluar procesin e integrimit apo për të marrë statusin e kandidatit. Ka frustrim edhe brenda Komisionit, që ky konsensus nuk po arrihet edhe më tej.”, - theksoi zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi.
Bislimi konsideron se Kosovës po i bëhet padrejtësi në marrjen e statusit të vendit kandidat, pasi që nga viti 2016 është duke e zbatuar MSA-në.
Sipas Bislimit, ka zëra edhe brenda Komisionit Evropian, të cilët besojnë se nëse Kosova do të garonte me kushte të njëjta me vendet e tjera të rajonit do të ishte mbase vendi i parë ose i dytë nga Ballkani që mund ta marrë statusin e vendit anëtar të BE-së. (Gyltene Sinani, TVM2)
