Marrëveshja e Prespës, Osmani: Qeveria e re të respektojë marrëveshjen
Ministri në largim, Bujar Osmani, vlerëson se Qeveria e ardhshme...

Ministri në largim, Bujar Osmani, vlerëson se Qeveria e ardhshme në krye me mandatarin, Hristijan Mickoski, ka obligim që të respektojë Marrëveshjen e Prespës. Sipas Osmanit, marrëveshja përpos emrit kushtetues, zgjerohet në bashkëpunim të thellë dypalësh ekonomik, energjetik dhe fusha të tjera, andaj nuk dëshiroi të parashikojë dëmin që do të mund të pësonte vendi nëse insistohet në mosrespektim të emrit kushtetues të vendit.
“Nuk do të doja të parashikoj. Ja, të presim një javë, do të shohim. Sipas paralajmërimeve nuk pres se do të ketë shkelje. Kuptohet se nuk është arsyetim pjesa për gjuhën e urrejtjes, se do të përmendet emër tjetër, nuk ekziston një arsyetim i tillë në të drejtën ndërkombëtare, megjithatë ky është një tranzicion që të përgatitet opinioni publik. Ne inkurajojmë që të respektohet Marrëveshja e Prespës. Ata nuk kanë kurrfarë përgjegjësie, nuk e kanë votuar, nuk e kanë mbështetur, megjithatë kanë obligim ta respektojnë.”, - deklaroi ministri për Punë të Jashtme, Bujar Osmani.
Osmani komentoi edhe paralajmërimet e Mickoskit se kanë përgatitur dokument se sa palët maqedonase dhe greke e kanë zbatuar Marrëveshjen e Prespës. Osmani thotë se dokumentet e tilla janë të panevojshme, pasi përditësimi i informacioneve po bëhet në bazë javore.
“Ne kemi tabelë, ku saktë çdo javë më informojnë se deri ku është Greqia dhe ku jemi ne. Unë kam vënë prioritete të politikës së jashtme. Edhe unë them, Greqia ka obligime, sikurse ne, por ato të mos jenë bartës i dinamikave në marrëdhëniet tona.”, - theksoi ministri për Punë të Jashtme, Bujar Osmani.
Sipas Osmanit, Maqedonia e Veriut ka ngecur në Kuvend me ndryshimin e emrit të RTVM-së dhe AShAM-it. Ndërkaq, Greqia ka memorandumet dhe tre tabela trafiku, nga të cilat dy ndryshuan para disa muajve.
Osmani konfirmoi takimin me zëvendësministren për Punë të Jashtme të Greqisë, Aleksandra Papadopulo, ku është konstatuar si më se i nevojshëm respektimi i Marrëveshjes së Prespës. (Meral Ismaili, TVM2)
