Presidenti Begaj pritet nga kryeministri Xhaferi

13.06.2024 15:59

Kryeministri Talat Xhaferi...

Kryeministri Talat Xhaferi ka takuar presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, me të cilin biseduan për dialogun e mirë politik mes dy vendeve, si dhe zhvillimin e marrëdhënieve bilaterale, duke theksuar nevojën e një bashkëpunimi më të thelluar në aspektin ekonomik, i cili do të ishte edhe prioritet i përbërjes së re qeveritare. “Është me rëndësi të vazhdohet me reformat për përmbushjen e rrugës së përcaktuar të të dy vendeve, të cilat tani më janë aleatë në NATO, me shpresë se edhe procesi i eurointegrimit do të rrumbullakohet me sukses.” - ka deklaruar kryeministri, Xhaferi.

Presidenti shqiptar ka thënë se me rëndësi është që “të ruhet dhe mbindërtohet më shumë ajo që është arritur në vend, e që është në drejtim të të drejtave dhe obligimeve të komuniteteve.

Presidenti Begaj pritet nga kryeparlamentari Gashi

Presidenti shqiptar realizoi takim edhe me kryetarin e Kuvendit, Afrim Gashi, ku gjatë bisedës iu referuan në mënyrë të veçantë bashkëpunimit dypalësh, por sipas tyre ka gjithmonë hapësirë për komunikim më intensiv, si në planin bilateral, ashtu edhe në planin rajonal, si dhe në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.

“Të dy vendet tona gjithmonë kanë pasur qëllime të përbashkëta drejt të cilave shkojmë së bashku.”, tha kryetari i Kuvendit të RMV-së, duke theksuar se Maqedonia e Veriut para disa vitesh u përball me pengesën në rrugën drejt NATO-s, ku tani është anëtare e plotfuqishme.

Presidenti i Shqipërisë theksoi se reformat e ndërmarra nga të dyja vendet në lidhje me integrimin evropian nuk janë vetëm për realizimin e kritereve të BE-së, por mbi të gjitha për zhvillimin e vendeve dhe për arritjen e përfitimeve për qytetarët. Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, po qëndron në vend në kuadër të Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore që do të mbahet nga 18 deri më 20 qershor në Kuvendin e RMV-së, pas së cilës Shqipëria duhet të marrë kryesimin njëvjeçar të këtij procesi nga Maqedonia e Veriut. (Leunora Kaliqi, TVM2)