Izraeli vazhdon bombardimet në Rripin e Gazës
Pamjet e reja që vijnë nga Rripi i Gazës...

Pamjet e reja që vijnë nga Rripi i Gazës tregojnë palestinezë të plagosur duke u sjellë në Spitalin “Al-Aksa” në Deir al-Balah. Njerëzit shihen duke u transportuar me barela në spital dhe duke u trajtuar nëpër korridoret e ndërtesës.
Nuk ka as kushte për trajtimin e pacientëve, pasi Izraeli nuk i kursen sulmet as ndaj spitaleve.
OBSh: Regjistrohen 480 sulme ndaj spitaleve
Kreu i OBSh-së njofton se në bregun perëndimor janë regjistruar 480 sulme ndaj kujdesit shëndetësor.
“Ndërsa fokusi i botës ka qenë në Gazë, ka një krizë shëndetësore në rritje në Bregun Perëndimor, ku sulmet ndaj kujdesit shëndetësor dhe kufizimet në lëvizjen e njerëzve po pengojnë aksesin në shërbimet shëndetësore. OBSh-ja ka dokumentuar 480 sulme ndaj kujdesit shëndetësor në Bregun Perëndimor. Në shumicën e zonave të Bregut Perëndimor, klinikat funksionojnë vetëm dy ditë në javë dhe spitalet funksionojnë me rreth 70% kapacitet. Vendbanimet ilegale janë zgjeruar në Bregun Perëndimor të pushtuar, duke ndikuar në aksesin e popullsisë në shërbimet shëndetësore.”, - deklaroi drejtori i përgjithshëm i OBSh-së, Tedros Adhanom Gebrejesus.
Erdogan: Izraeli kryen gjenocid
Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, gjatë vizitës në Madrid, në Forumin e Biznesit Turqi-Spanjë, tha se Izraeli po kryen gjenocid mbi popullin e Gazës.
"Gjenocidi që po vazhdon në Gazë prej 250 ditësh i lëndon të gjithë me ndërgjegje. Me qëndrimin e tij të prishur, Izraeli u përgjigjet thirrjeve për armëpushim duke derdhur gjak. Asnjë vend me ndërgjegje nuk mund ta pranojë këtë.", - theksoi presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan.
Erdogan e përgëzoi kryeministrin e Spanjës, Pedro Sançez, për qëndrimin e tij ndaj krizës në Rripin e Gazës. Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në një vendim të përkohshëm në janar e urdhëroi atë të ndalojë aktet gjenocidale dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gazë.
Më shumë se 37.200 palestinezë janë vrarë që nga 7 tetori i vitit të kaluar në Gazë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, dhe më shumë se 84.900 të tjerë janë plagosur, njoftojnë autoritetet në Gazë. (Farije Dauti Bakiju, TVM2)
