Maqedoni

Komuna e Tetovës, Arifi: edhe përkundër borxheve, kemi punuar

15.04.2015 16:55

Komuna e Tetovës organizoi debat publik për të shënuar dy vjetorin e mandatit të kryetares së saj, Teuta Arifit...

Numri një i Tetovës prezantoi ato që ka realizuar deri tani edhe përkundër borxheve të shumta të trashëguara. 
 
“Këto dy vite, me gjithë borxhet e trashëguara dhe aktet për përmbarim, që arrijnë në adresë të komunës, jemi përpjekur që të përmirësojmë infrastrukturën rrugore, të pastrojmë, gjelbërojmë dhe mirëmbajmë qytetin, të investojmë në zhvillimin arsimor dhe kulturor, sepse ne, për dallim nga, mjerisht, një numër i konsiderueshëm i personave që pretendojnë për poste publike, e shohim zhvillimin, ruajtjen dhe mbrojtjen e Tetovës si angazhim shumë dimenzional dhe jo si biznes fitimprurës. Dhe normalisht, ashtu sikurse ka shumë për t’u bërë, ne mendojmë që me këtë dinamikë të vazhdojmë në të gjitha pjesët e qytetit, që normalisht as nuk mund të përfundohen brenda dy vitesh”- deklaroi kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi.
 
Por, sipas Arifit, ka gjëra që janë përfunduar brenda këtyre dy viteve e që kanë përmirësuar ndjeshëm sidomos arsimin në Tetovë. 
 
“Themeluam Gjimnazin “7 Marsi” dhe vendosëm politika të regjistrimit në shkolla të mesme, që drejtpërdrejtë ndikojnë në ngritjen e cilësisë së arsimimit të mesëm dhe profilizimin adekuat të nxënësve”- tha Arifi.
 
Komuna e Tetovës brenda dy viteve arriti të rindërtojë sheshin “Iliria”, të asfaltojë  rrugët në fshatrat Sellcë, Shipkovicë,  Brodec, Van Vardarska, rrugën Kala-Sellcë,Tetovë-Brodec, rrugën “Vëllezërit Milladinovi”, rrugën e spitalit, rrugën e Xhamisë së Pashës, potencoi Arifi. 
 
VISAR SADIKI