Kuvend, deputetët zgjodhën tre nënkryetarë

14.06.2024 13:51

Antonio Milloshovski nga VMRO – DPMNE...

Antonio Milloshovski nga VMRO-DPMNE, Jovan Mitreski nga LSDM dhe Vesna Bendevska nga “E di” janë nënkryetarët e Kuvendit. U zgjodhën nga deputetët pa debat dhe kundërshtime.

Për Milloshovskin votuan 69 deputetë, Mitreskin 82, ndërkaq për Bendevskën votuan 70 deputetë. Mitreski dhe Bendevska dhanë betimin solemn, në përjashtim të Milloshovskit, i cili mungoi për arsye shëndetësore.

Milloshovski do të betohet solemnisht për detyrën e marrë në seancën e radhës.

“Nënkryetarët zgjidhen nga radhët e deputetëve që u takojnë partive të ndryshme politike, të përfaqësuara në Kuvend. Njëri nga nënkryetarët zgjidhet nga radhët e deputetëve që i takojnë partisë politike të përfaqësuar në Kuvend, e cila është partia më e madhe opozitare. Të paktën njëri nga nënkryetarët zgjidhet nga gjinia më pak e përfaqësuar.”, - deklaroi kryeparlamentari, Afrim Gashi.

Paraprakisht Kuvendi me 87 vota dhe pa debat miratoi vendimin për ndryshime dhe plotësime në përzgjedhjen e kryetarëve të komisioneve, nënkryetarëve, anëtarëve dhe zëvendësve të tyre. (Meral Ismaili, TVM2)