Vrasje e dyfishtë në Kratovë, nusja vrau bashkëshortin dhe vjehrrin

14.06.2024 14:23

Një nuse 36-vjeçare ka masakruar me thikë bashkëshortin...

Një nuse 36-vjeçare ka masakruar me thikë bashkëshortin e saj dhe vjehrrin, mbrëmjen e djeshme në Kratovë. Pas ngjarjes së rëndë, autorja me iniciale V. I., është arrestuar nga policia. Bashkëshorti i 36-vjeçares, me iniciale J. I, 38 vjeç dhe babai i tij, 63 vjeç, janë konfirmuar të vdekur.

“Më 13.06.2024 në ora 22:00, zyrtarë policorë nga Kratova e kanë privuar nga liria V. I., 36 vjeçare nga Kratova. Ajo dyshohet se në shtëpinë e saj në Kratovë me thikë e ka sulmuar bashkëshortin e saj J. I., 38 vjeçar dhe babain e tij, S.I., 63 vjeçar, të cilët kanë humbur jetën nga lëndimet. Sipas rekomandimeve të prokurorit publik, trupat e pajetë janë dhënë në obduksion, V.I. është arrestuar dhe pas dokumentimit të plotë të rastit kundër saj do të parashtrohet padi adekuate.”, - theksoi zëdhënësja e MPB-së, Kumanovë, Ivana Mlladenovska.

Banorët e Kratovës janë shqetësuar nga kjo ngjarje e rëndë, duke potencuar se në qytetin e tyre të qetë nuk ka pasur asnjëherë ngjarje të tillë.

“Deri më tani nuk ka pasur rast të tillë. Dëgjuam në mëngjes për këtë rast dhe na shqetësoi. I njihnin këta persona, por nuk kemi afërsi me to.”, - tha një banor.

“Unë jam 70-vjeçar dhe deri më tani nuk kam dëgjuar të ketë në Kratovë nga një familje, dy të vdekur.”, - tha një banor tjetër.

“Këtu është tejet qetë, nuk kemi dëgjuar ndonjëherë për rast të tillë, por kanë ardhur kohë të vështira. Çfarë ka ndodhur nuk jemi në dijeni.”, - u shpreh një banor. 

Nga MPB-ja thonë se po punohet në zbardhjen e rastit, ndërsa arsyeja e vrasjes mendohet të jetë zënkë familjare. 36-vjeçarja, disa herë kishte denoncuar bashkëshortin e saj për dhunë familjare. (Flutura Latifi, TVM2)