DASh: Dialogu duhet të përfundojë me njohje

14.06.2024 14:52

Qëndrimi i Uashingtonit zyrtar...

Qëndrimi i Uashingtonit zyrtar sa i përket procesit të normalizimit në mes Kosovës dhe Serbisë nuk ka ndryshuar dhe se synimi afatgjatë i politikës amerikane është që në fund të dy shtetet ta njohin njëra-tjetrën.

Kështu janë përgjigjur nga Departamenti Amerikan i Shtetit, në pyetjet rreth deklaratës së ambasadorit në Beograd, Kristofer Hill, i cili i pyetur nëse mendon që Serbisë duhet t’i kushtëzohet hyrja në BE me njohjen e Kosovës, ka thënë se s’është i një mendimi të tillë.

“Qëndrimi i Shteteve të Bashkuara për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk ka ndryshuar. Ne vazhdojmë të mbështesim fuqishëm Dialogun e lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si rrugë për të arritur një marrëdhënie të normalizuar, paqësore dhe produktive ndërmjet dy vendeve.”, është përgjigjur një zëdhënës i DASh-it për mediat kosovare.

Ai ka shtuar se e ardhmja e të dy vendeve është në institucionet evropiane dhe se normalizimi i marrëdhënieve mes dy shteteve përmes procesit të lehtësuar nga BE-ja është e vetmja rrugë përpara.

Nga DASh-i kanë potencuar se presin që Kosova dhe Serbia t’i respektojnë dhe zbatojnë marrëveshjet e arritura pa vonesa dhe parakushte.

Ambasadori gjerman, Rohde, reagon ndaj ambasadorit amerikan, Hill

Edhe ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde, ka reaguar në platformën X pas deklaratave të ambasadorit amerikan në Beograd, Kris Hill. Ambasadori gjerman ka rikujtuar deklaratën e kancelarit Sholc.

“Është e qartë se marrëveshja duhet që përfundimisht ta zgjidhë çështjen e njohjes së Kosovës, sepse është e paimagjinueshme që dy vende që s’e njohin njëra-tjetrën të bëhen anëtare të BE-së.”, citon kancelarin Sholc, ambasadori gjerman në Prishtinë. (Gyltene Sinani, TVM2)