Struga e mbushur me turistë

14.06.2024 15:48

Fillimi i qershorit në Strugë...

Fillimi i qershorit në Strugë hapi zyrtarisht edhe sezonin turistik veror me ardhjen e turistëve të huaj, por edhe të vendit dhe rajonit. Edhe këtë fundjavë, qyteti është i mbushur plot, kryesisht me turistë holandez, të cilët janë turistët që më së shumti vizitojnë Liqenin e Ohrit.

Megjithatë, edhe pse vizitojnë Strugën gjatë ditës, një pjesë e madhe e tyre qëndrojnë në Ohër. Ndërsa ka mysafirë të shumtë edhe nga Shqipëria.

“Nga Holanda. Po na pëlqen shumë, është shumë qetë, është shumë bukur këtu. Qëndrojmë në Ohër.”, - tha një turiste nga Holanda.

“Nga Shqipëria. Mirë, bukuri. Natyra shumë e bukur.”, - tha një turiste nga Shqipëria.

“Ne jemi nga Korça, nga Shqipëria. Shumë i bukur, më pëlqeu shumë, sidomos kjo pjesa e lumit te shkallët, jam shumë e gëzuar. Vij për herë të parë, S’kam ardhur asnjëherë.”, - u shpreh një turiste nga Shqipëria.

Për të huajt, çmimet e ulëta; për rajonin, çmimet e larta

Për turistët e huaj çmimet në Strugë dhe Ohër janë shumë lirë, në krahasim me vendet tjera. Ndërsa turistët nga rajoni, thonë se çmimet janë shumë të larta për standardin, thonë se Liqeni i Ohrit është më i shtrenjtë se edhe Shqipëria.

“Për ne çmimet janë shumë të lira, sepse Holanda është shumë e shtrenjtë.”, - tha një turist holandez.

“Janë pak të larta se andej nga neve, ne i kemi çmimet më të lira se ju.”, - tha një turist nga Shqipëria.

“Janë këtu më të shtrenjta se andej nga ne.”, - u shpreh një turist tjetër nga Shqipëria.

Gjatë gjithë muajit qershor pothuajse çdo ditë ka fluturime çarter, që vijnë me grupe të turistëve të huaj në Liqenin e Ohrit. Ka turistë nga kryesisht nga Holanda, Polonia dhe Turqia, por edhe vende tjera të botës.

Sipas hotelierëve, ky sezon ka filluar mjaft mirë, e pritet që deri në fund të shënojë rekord të ri të turistëve. (Ilmije Zhaku, TVM2)