Rikthehen pritjet për dokumentet, qyetarët presin gjatë për dokumentet e tyre
Qytetarët e anketuar thonë se presin nga 1 deri në 3 muaj...

Qytetarët e anketuar thonë se presin nga 1 deri në 3 muaj për marrjen e dokumenteve personale. Ata thonë që autoritetet kompetente duhet të marrin masa që t’i marrin dokumentet në afat më të shkurtër kohor.
Qytetarët thonë se ndonëse vonohen dokumentet e dorëzuara për pasaportë, letërnjoftim dhe patentë shoferë, parregullsi e madhe është edhe nëpër sportele ku presin qytetarët.
“Të tre i kam pas, letërnjoftimin, lejen dhe pasaportën. Sot u fotografova, më thanë për letërnjoftimin dhe lejen një muaj, ndërsa për pasaportën dy muaj të pres, d.m.th. është e tepërt.”, - tha një qytetar.
“Gati e kam patentë shoferin, por ma kanë humbur. 5 herë që vij dhe nuk mund ta marr. Edhe kjo ndodh në shtetin tonë.”, - tha një qytetar.
“A keni prit gjatë?, - “Tre muaj.”, - tha një qytetar tjetër.
“Për pasaportën kam ardhur, tash e kam gati. Kam pritur dy muaj e gjysmë për ta marrë. Shumë gjatë presim për të marrë dokumentet, kjo nuk është në rregull.”, - tha një qytetare.
“Më 9 prill jam fotografuar. Nuk e di ende a është gati dokumenti.”, - u shpreh një qytetar.
“Dorëzuam dokument për letërnjoftim dhe më thanë që do të jetë gati për 1 muaj.”, - u shpreh një qytetar tjetër.
Nga MPB-ja thonë se janë shtuar kapacitetet e personelit dhe po merren masa që qytetarët t’i marrin sa më shpejtë dokumentet e tyre. Sipas MPB-së, numri i qytetarëve të fotografuar për letërnjoftim është mbi 1 milion e 200 mijë qytetarë, për pasaportë mbi 1 milion e 500 mijë qytetarë dhe për patentë shoferi mbi 600 mijë qytetarë. (Vlora Latifi – Topojani, TVM2)
