Qeveria e re, liderët në krye të ministrive, Ramadani: Kjo demonstron marrje të përgjegjësisë

14.06.2024 18:10

Përderisa po rrjedh afati për formimin e Qeverisë së re...

Përderisa po rrjedh afati për formimin e Qeverisë së re, dalëngadalë po bëhet e qartë fotografia se si do të duket kabineti qeveritar. Lëvizja “Besa” zyrtarisht ka konfirmuar emrat e Fatmir Limanit për Ministër i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Besar Durmishi për Ministër të Ekonomisë dhe Punës, ndërsa Sedat Sulejmani, për zëvendësministër i Kulturës dhe Turizmit.

Nga ana tjetër, Arben Taravari, pritet të udhëheqë me Ministrinë e Shëndetësisë, kurse Izet Mexhiti ka konfirmuar se do të jetë zëvendëskryeministër i parë, ndërsa pritet të konfirmohet nëse Mexhiti do të ushtrojë edhe funksionin e ministrit të Ekologjisë.

Gjithashtu pritet të konfirmohet edhe emri i ministrit të eurointegrimeve dhe zëvendësministrat tjerë. Blerant Ramadani nga koalicioni VLEN në emisionin ZOOM vlerësoi se emërtimi i liderëve nga VLEN-i në pozita udhëheqëse nëpër ministri dhe në Kuvend demonstron marrje të përgjegjësisë, gjë që sipas tij ka munguar herët e kaluara. 

“Ne si VLEN, si Aleancë do të kemi resorë, mirëpo në moment që kryetari merr përgjegjësi rritet përgjegjësia edhe ndaj funksionarëve tjerë në kuadër të partisë, domethënë është një shembull që duhet të përshëndetet. Z. Taravari ishte një ndër ministrat më të suksesshëm në ministrinë e 2017-ës dhe pse jo, për një vit apo dy vjet derisa të vijë një kuadër ndoshta edhe më i mirë, do të rregullohet sistemi shëndetësor, sepse është një nga segmentet që e tangon çdo qytetar.”, - theksoi Blerant Ramadani nga VLEN.

Ramadani informoi se në vijim janë diskutimet brenda VLEN-it në lidhje me ndarjen e resorëve dhe përzgjedhjen e kuadrove për eshalonin e tretë. Përndryshe mandatari për formimin e Qeverisë, Hristijan Mickoski, ka paralajmëruar se përbërja e Qeverisë së re do të dorëzohet në Kuvend të martën. (Ersan Pajaziti, TVM2)