Lloga: Shpërbërja e Këshillit Gjyqësor cenon pavarësinë, Lloga: Mickoski nuk pranoi të bashkëpunojë

14.06.2024 18:32

Ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga...

Ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, përmes një aktvendimi të Gjykatës ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe një vendimi të Gjykatës Administrative në vend dëshmon se Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit të Prokurorëve Publikë nuk duhet t’u ndërpritet mandati, ashtu siç ka paralajmëruar mandatari, Hristijan Mickoski.

Sipas tij, me një vendim të tillë, Mickoski dëshiron të disiplinojë gjyqësorin, por me shpërbërjen e dy organeve kushtetuese rrezikohet pavarësia e gjyqësorit. Vlerëson se përgjegjësia nuk duhet të jetë kolektive, por individuale.

“Unë para jush sot prezantova dy dokumente, është dokumenti nga Gjykata Evropiane për të drejtat e njeriut dhe bëhet fjalë për rastin e një gjykatësi, i cili ka bërë ankesën në shtetin polak dhe ka fituar këtë lëndë, ku thuhet se kemi shkelje ligjore.”, - deklaroi ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga.

Në pyetje të gazetarëve se pse edhe përkundër mosmarrëveshjeve që kishte Lloga si ministër i Drejtësisë me Këshillin Gjyqësor, si dhe vërejtjeve dhe kritikave të shumta nga ndërkombëtarët, nuk pati as edhe një inicim të procedurës për përgjegjësi për ndonjërin nga anëtarët e Këshillit, Lloga me përgjigje:

“Ajo që kam mbajt si qëndrim atëherë dhe sot është se duhet të respektohet ligji me të gjitha rrethanat. Edhe atëherë kam bërë thirrje që të respektohet ligji dhe thirrja ime ishte që konform vendimit që solli Gjykata Administrative dhe zonja Dameva u kthye në pozicionin e saj. Thirrja ime sot vazhdon që të gjithë ata që kanë bërë shkelje, por edhe puna e gjykatësve dhe Këshillit gjyqësor duhet të jetë konform ligjit, por nuk mund të ketë përgjegjësi kolektive në këtë rast, sepse si duhet të vazhdojmë ne më tutje tregon qartë raporti i misionit vlerësues.”, - theksoi ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga.

Sipas Llogës, deklaratat e Mickoskit akoma janë në euforinë e fushatës, andaj nuk pret që Qeveria e ardhshme t’i ndërpresë punimet për Ligjin për prokurorë dhe Këshillin Gjyqësor, që janë në përfundim e sipër në Ministrinë e Drejtësisë.

Theksoi se që kur është në krye të Ministrisë së Drejtësisë, ka ftuar Mickoskin për bashkëpunim, por që ai ka refuzuar. Njoftoi se dhe nga opozita me zgjuarsi do ta ndjekë punën e Qeverisë dhe atë që ka të bëjë me sundimin e ligjit dhe luftën e krimit dhe korrupsionit. (Florije Kamberi, TVM2)