Maqedoni
Kriza politike, takimi i dytë në Bruksel, nuk jepen detaje
15.04.2015 17:50
Raundi i dytë i bisedimeve mes VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së në Bruksel për kapërcimin e krizës politike në Maqedoni, mbahet në fshehtësi të plotë...

Ashtu siç u dakorduan më parë, as VMRO-ja e as LSDM-ja nuk japin detaje se çfarë saktë është diskutuar.
Dihet vetëm se të dy palët edhe kësaj radhe janë ulur në tavolinë me qëndrime skajshmërisht të kundërta. Radmilla Shekerinska, Renata Deskovska dhe Viktor Gaber vazhdojnë të kërkojnë dorëheqje të Nikolla Gruevskit dhe formim të qeverisë kalimtare, e cila do të përgatisë zgjedhje të parakohshme, ndërsa Nikolla Poposki, Nikolla Todorov dhe Ilija Dimovski nuk pranojnë qeveri kalimtare, por bisedojnë për ndalimin e “bombave” dhe kthimin e LSDM-së në kuvend.
Eurodeputetët, Ivo Uajgëll, Riçard Houit dhe Eduard Kukan, mundohen të afrojnë qëndrimet e dy partive dhe të përgatisin palët për përfshirjen e mundshme të diplomatëve më të lartë në bisedime më serioze.
Ndërkohë, u paralajmërua se për krizën politike në Maqedoni do të bisedojnë edhe ministrat e vendeve të Bashkimit Evropian në mbledhjen e caktuar për 21 prill.
Ndërkohë që nesër në Shkup pritet të qëndrojë në një vizitë dyditore ndihmëssekretari shtetëror amerikan për Evropë dhe Euro-Azi, Hojt Ji. Nuk dihet nëse kjo vizitë nënkupton edhe përfshirjen e drejtpërdrejt të SHBA-ve në zgjidhjen e krizës.
SANIJE KASAMI
