Ukraina, Zelenski mirëpret ndihmën e G7-shit, në terren vazhdojnë luftimet

14.06.2024 20:05

Kanë vazhduar luftimet mes Ukrainës dhe Rusisë....

Kanë vazhduar luftimet mes Ukrainës dhe Rusisë. Të dyja palët pohojnë sulme të suksesshme dhe municion të shkatërruar. Harkivi mbetet qyteti më i sulmuar, ndërkaq janë djegur objekte, ndërtesa dhe automobila. Jashtë frontit, sinjale pozitive për Ukrainën nga Samiti i G7-shit.

“Ky është sinjal i qartë për presidentin rus se ai nuk do të ketë mundësi ta fitojë këtë luftë.”, - deklaroi kancelari i Gjermanisë, Olaf Sholc.

Presidenti ukrainas, Zelenski, i kënaqur me ngrirjen e aseteve ruse derisa Kremlini nuk i paguan reparacion Kievit.

“G7-shi bëri një hap të parë të rëndësishëm. Do të ketë rezerva dhe pajisje për frontin.”, - theksoi presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.

Në këtë Samit, Zelenski ka nënshkruar marrëveshje dhjetëvjeçare për siguri me ShBA-në dhe Japoninë.

“Paqja e mbrojtja për Ukrainën patjetër të sigurohet. Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të ndihmojnë këtu, jo me dërgimin e ushtarëve amerikanë në Ukrainë, por me sigurimin e municionit dhe armëve, me informacione zbuluese dhe trajnim.”, - u shpreh presidenti i ShBA-së, Xho Bajden.

Reagon Moska. Thotë se përgjigjja do të jetë e dhimbshme. Ndërkohë në Bruksel ministrat e mbrojtjes diskutojnë planin për ndihmën e sigurisë së NATO-s për Ukrainën.

Perëndimi i përgjigjet Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra. Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre. (Nermin Mulaki – Fejzullahu, TVM2)