Botë

Samiti i NATO-së në Uashington

15.06.2024 14:25

Samiti i NATO-s në korrik në Uashington, para së gjithash...

Samiti i NATO-s në korrik në Uashington, para së gjithash, do të jetë një festë e 75 viteve të punës si partnerë transatlantikë përtej Atlantikut, por do të diskutohen një sërë temash, një ndër to edhe fakti se shumë vende kanë punuar në dekadën e fundit për të rritur shpenzimet për mbrojtje, thotë përfaqësuesi i përhershëm i Shteteve të Bashkuara në Aleancë, Xhulian Smit, në një intervistë për MIA-n. Ajo theksoi se deri më tani rreth dy të tretat e shteteve anëtare ndajnë më shumë se dy për qind të PBB-së së tyre për mbrojtje. Në këtë kontekst, Smit ka falënderuar edhe Maqedoninë e Veriut.
 
“Këtu dua të falënderoj vërtet Maqedoninë e Veriut. Ky është një vend që ka marrë vendime vërtet të vështira për të arritur pragun prej dy për qind të PBB-së për mbrojtjen. Maqedonia e Veriut tani është mbi pragun, mbi dy përqind, dhe ne i mirëpresim ato përpjekje dhe të gjitha vendet që e kanë bërë këtë.”, tha Xhulian Smit, ambasadore e SHBA-ve në NATO.
 
Smit gjithashtu u shpreh mirënjohëse në lidhje me kontributin që ka dhënë vendi ynë për forcat ukrainase, duke thënë se mbështetja për Ukrainën do të vazhdojë. 
 
“Në samit do të flasim edhe për Ukrainën. Ne presim që Presidenti ukrainas Zelenski të bashkohet me ne personalisht dhe Aleanca do të shpallë forma shtesë ndihme për Ukrainën, mbështetje politike, domethënë ju tashmë na keni dëgjuar duke folur për një urë drejt anëtarësimit. Ne po ndërtojmë një urë drejt anëtarësimit për Ukrainën.”, tha Smit.
 
Në Uashington do të vendoset se kush do të jetë Sekretari i ri i Përgjithshëm i NATO-s, i cili do të pasojë ushtruesin aktual të detyrës Jens Stoltenberg. Në muajt e fundit, aleanca ka shqyrtuar dy kandidatura zyrtare për këtë post. Kandidaturën e kryeministrit holandez në largim Mark Rutte dhe atë të presidentit rumun Klaus Iohannis, të cilët, për të marrë këtë pozicion, kanë nevojë për mbështetjen e të 32 vendeve anëtare.
 
ERSAN PAJAZITI