Botë
Kosovë, Tërnava me mesazhe atdhedashurie
16.06.2024 15:15
Besimtarët e fesë islame kremtuan festën e Kurban Bajramit edhe në Kosovë...

Besimtarët e fesë islame kremtuan festën e Kurban Bajramit edhe në Kosovë. Pranë xhamive dëgjuan ligjëratat e klerikëve me mesazhet për mbrojtjen e atdheut, si dhe solidaritetit me nevojtarët. Myftiu i Kosovës Naim Tërnava theksoi se Kurban Bajrami është festë për t’iu afruar Zotit me vepra të mira për të therrë kurban si dhe për t’u ndihmuar skamnorëve.
“Prandaj është detyrë e jona që ta duam, ta ruajmë dhe ta mbrojmë vatanin tonë. Është detyrë që të bëhemi qytetarë të një vendi që jetojmë me dinjitet e për t’u bërë të tillë kërkohet që të jemi bashkë duke promovuar atë në të gjitha fushat dhe në çdo vend, por edhe në mekën e largët. Kurban bajrami është një rast i mirë për t’iu afruar Zotit me vepra tona të mira, për ta falënderuar atë për bekimin e tij, për të pastruar shpirtin dhe zemrën. Këtë e arrijmë duke kryer haxhin dhe therrur kurbanin, duke kryer vepra të mira, duke zgjatur dorën për të varfëritë dhe nevojtaret.”, tha Myftiu i Kosovës Naim Tërnava.
Ai po ashtu luti Zotin që besimtarët të ruajnë vlerat fetare dhe kombëtare.
“Festat tona fetare duhet të shfrytëzohen për të sjellë lumturi dhe gëzim në zemrat e atyre që kanë nevojë, duke trajtuar të sëmurët e vizituar të afërmit duke shkëmbyer urime me miq dhe duke i mbjellë këto vlera në mendjet dhe zemrat e fëmijëve dhe të rinjëve tanë. Vetëm kështu e forcojmë më shumë trungun tonë familjar, ushqejmë atë me vlerat fetare dhe kombetare dhe e ruajmë atë me një pastërti fisnike ashtu siç e kemi amanet nga të parët tanë.”, tha Tërnava.
Tërnava poashtu tha që Bashkërisht duhet të bëjnë edhe më shumë në rritjen ekonomike, rritjen e standardeve për një jetë më të mirë në Kosovë, që të zvogëlohët migrimi i popullatës nëpër vende të ndryshme të botës.
VLORA LATIFI TOPOJANI
