Maqedoni
A do ketë zgjedhje në tre komuna?! Pritet dakordësi për ndryshimin e ligjit
16.06.2024 15:40
Gostivari, Saraji dhe Aerodromi do të kenë kryetarë të ri, por ende nuk dihet nëse këto kryetar do të zgjidhen...

Gostivari, Saraji dhe Aerodromi do të kenë kryetarë të ri, por ende nuk dihet nëse këto kryetar do të zgjidhen nëpërmjet zgjedhjeve të jashtzakonshem apo do të mundësohet me ligj që funksionin e kryetarit të komunës ta zbatoj një “ushtrues detyre”. Kjo siç bëjnë të ditur nga koalicioni VLEN pritet të bëhet e qartë nga e hëna, pasi koordinatorët e grupeve parlamentare në Kuvend tashmë kanë propozuar ndryshime në Ligjin për Vetëqeverisje Lokale. Sipas informacioneve të pakonfirmuara, të hënën do të mbahet një koordinim, në të cilin pritet që përfaqësuesit e palëve të shprehin qëndrimet dhe vërejtjet e mundshme rreth tekstit.
Burime nga VMRO-DPMNE, nga ana tjetër, thonë se nëse sigurohet shumica e nevojshme prej dy të tretave për ndryshimet ligjore, debati do të fillojë të martën, kur është caktuar seanca plenare në Kuvend. Për këtë ligj, përveç 80 votave “pro”, nevojitet edhe shumica e Badenterit.
Aktualisht shumica e re parlamentare numëron 78 deputet, të cilët pritet të mbështesin këto ndryshiem ligjore, ndërsa opozita ende nuk e ka bërë të qartë qëndrimin e tyre. Koalicioni “VLEN” ka propozuar këto ndryshime ligjore për të shmangur zgjedhjet e parakohshme në komunat, kryetarët e të cilave do të kalojnë në poste ekzekutive dhe legjislative.
Komunat e përfshira janë Gostivari, ku kryetari Arben Taravari do të bëhet ministër i Shëndetësisë; Saraji, ku kryetari Blerim Bexheti u zgjodh deputet dhe Aerodromi, me kryetarin Timço Mucunski që pritet të bëhet ministër. Propozimi përfshin krijimin e një funksioni të ri, “ushtruesi i detyrës kryetar komune”, i cili do të menaxhojë komunën deri në mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta lokale. Ky ushtrues detyre do të zgjidhet nga këshilli komunal. Përndryshe sipas zgjidhjes aktuale ligjore, nëse mbeten më shumë se gjashtë muaj deri në zgjedhjet e rregullta lokale, atëherë shpallen zgjedhje të reja për kryetar komune. Koalicioni “VLEN”, shpreson që ndryshimet të miratohen para votimit për Qeverinë e ardhshme.
ERSAN PAJAZITI
