Maqedoni

VMRO konfirmon emrat e ministrave të rinj

16.06.2024 15:55

Komiteti Ekzekutiv dhe ai Qendror i VMRO-DPMNE-së sot verifikon kandidatët për ministra nga koalicioni “Maqedonia juaj”...

Komiteti Ekzekutiv dhe ai Qendror i VMRO-DPMNE-së sot verifikon kandidatët për ministra nga koalicioni “Maqedonia juaj” i udhëhequr nga mandatari Hristijan Mickoski, ndërkohë të marten në Kuvend do të dorëzohet lista zyrtare e kandidatëve për anëtarë të Qeverisë së re. Në Qeveri do të marrin pjesë përfaqësues të koalicionit "Maqedonia juaj", VLEN dhe nga partia E DI, ndërsa me ndryshimet ligjore të miratuara në Kuvend do të ketë 20 ministri. 
 
Mandatari Mickoski ditë më parë ka konfirmuar se në opozitë do të jetë koalicioni “Fronti Evropian” i udhëhequr nga BDI, koalicioni “Ardhmëria Evropiane” e udhëhequr nga LSDM dhe partia politike e Majta. Ndryshe, Lëvizja Besa, Alternativa që janë pjesë e koalicionit VLEN nga blloku politik shqiptar dhe partia e Maksim Dimitrievskit E DI kanë shpallur zyrtarisht kandidatët për pozitat ministrore dhe zëvendësministrore në qeverinë e ardhshme. 
 
Kryetari i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti, ka bërë të ditur të se do të jetë zëvendëskryeministër i parë dhe ministër i Ekologjisë, ndërsa Arben Taravari do të jetë ministër i Shëndetësisë. Edhe Lëvizja Besa ka shpallur kandidatët për poste drejtuese në tre dikastere. Fatmir Limani është kandidat për ministër të Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Besar Durmishi për Ministër të Ekonomisë dhe Punës dhe Sedat Suleimani kandidat për zëvendësministër të Kulturës dhe Turizmit. Alternativa vendosi që të propozojë ish-drejtorin e MEPSO-s Orhan Murtezani për ministër i integrimeve evropaine. 
 
Nga Lëvizja E DI për ministër të Drejtësisë u propozua Igor Filkov, ndërsa kandidati për ministrinë e administratës publike është Goran Minçev. 
 
Qeveria e re duhet të formohet para skadimit të afatit 20 ditor që filloi më 6 qershor, kur kryetarja e shtetit Gordana Siljanovska-Davkova i dha mandatin për formimin e qeverisë liderit të VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski.
 
FLUTURA LATIFI