Maqedoni

Kriza politike, analistët: nëse nuk dalim nga kriza politike, na kanosen kriza të tjera

15.04.2015 18:35

Maqedonia do të duhet të dalë nga kriza politike, pasi që në të kundërtën i kanoset kriza ideologjike, ekonomike dhe në shkallë të fundit edhe ajo ndëretnike...

Kjo u tha në debatin e organizuar nga Qendra për Mirëkuptim dhe Bashkëpunim Institucional. 
 
Ish kryeministri, Lupço Georgievski, tha se për dalje nga kriza në Bruksel do të propozohet formimi i një ligji për amnisti të të gjithë personave të përfshirë në parregullsi gjatë proceseve zgjedhore dhe në pjesën e përgjimeve. 
 
“Në pjesën politike do të duhet të thuhet se deri ku do të shtrihet procesi i amnistisë për ata që kanë përgjuar, si nga pushteti dhe opozita, kanë përgjuar pasi që nga ajo që shohim ka shenja se të dyja palët pak a shumë kanë përgjuar. Do të duhet të përfshihet edhe pjesa e tyre që kanë qenë të përfshirë në falsifikim të zgjedhjeve. Kjo ndoshta nuk është fer, megjithatë nëse nuk ndodh kjo, atëherë mendoj se pushteti jo vetëm që nuk do të lëshojë pe në organizmin e zgjedhjeve demokratike, por do të kemi akoma më shumë falsifikime në zgjedhjet e ardhshme”- deklaroi ish kryeministri, Lupço Georgievski.
 
Njohësi i çështjeve politike, Vllado Popovski, për kthimin e besimit në institucione propozon që të bëhen shkarkime të menjëhershme të gjykatësve në rast se vërtetohet ndikimi i tyre nga politika. 
 
“Në kuvend, për zbardhjen e këtyre problemeve mund që të miratohet ligj që të zgjidhet një trup prokurorësh në përbërje prej 5 deri më 8 persona, të cilët do të kishin besimin e pozitës dhe opozitës në parlament”- tha njohësi i çështjeve politike, Vllado Popovski.
 
Por. Ligji për Amnisti dhe ndryshimi i disa normave juridike nuk janë të pranueshme për profesorin universitar, Abdylmenaf Bexheti.
 
“Ne jemi mësuar me amnisti të ndryshme dhe i kemi pa pazarllëqet me to”- theksoi profesori universitar, Abdylmenaf Bexheti.
 
Për njohësin e çështjeve të sigurisë, Nazmi Maliqin, Maqedonia ka nevojë për unitet midis partive politike, duke i dhënë fund frazave patriotike.
 
“Partitë politike maqedonase dhe shqiptare, pozitë dhe opozitë, ta shohin veten në ndërtimin e garimit politik me projekte të përbashkëta në fushata parazgjedhore dhe të bëjnë koalicione të përbashkëta. Të shohim njëherë se si VMRO–DPMNE dhe BDI mund të dalin në një fushatë të përbashkët parazgjedhore dhe të shohim një pamje pak më tjetër, se më mjaftoi ai fjalor i pakëndshëm edhe për maqedonasit edhe për shqiptarët se Maqedonia e kujt është më shumë, e kujt është më pakë edhe frazat e ndryshme patriotike që nganjëherë krijojnë edhe neveritje te qytetarët që Maqedoninë e shohin si shtet të vetin”- u shpreh njohësi i çështjeve të sigurisë, Nazmi Maliqi.
 
Sipas ekspertëve politik, kyçja e BDI-së në procesin e bisedimeve është e nevojshme, ndërsa edhe qasja amerikane do të kishte ndikim pozitiv në zhbllokimin e ngërçit politik tanimë një periudhë më të gjatë në vend.