Kompletohet përbërja e Qeverisë, të martën i propozohet Kuvendit

17.06.2024 10:49

Propozim përbërja e qeverisë së re...

Propozim përbërja e Qeverisë së re është kompletuar dhe së bashku me programin nesër duhet t’i parashtrohet Kuvendit, përderisa votimi pritet të ndodhë fundjavën e ardhshme.

Kandidatët për anëtarë të Qeverisë nga koalicioni “Maqedonia jote” mbrëmë u konfirmuan nga Komiteti ekzekutiv dhe qendror i VMRO-DPMNE-së.

Nga “Maqedonia jote” në Qeveri do të ketë 15 anëtarë, prej të cilëve tre në vende zëvendëskryeministrash, kuadro nga koalicioni VLEN do të udhëheqin me pesë ministri dhe do të kenë një vend zëvendëskryeministri, ndërsa dy resorë ministrish do të kryesojë partia “E di”.

Mandatari dhe lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickoski, mbrëmë në konferencën për shtyp pas mbledhjeve të Komitetit qendror dhe ekzekutiv tha se zgjidhja kadrovike për sekretarin e përgjithshëm të Qeverisë do të jetë nga radhët e VMRO-DPMNE-së dhe do të dihet shumë shpejt dhe do të jetë në rend dite të mbledhjes së parë të Qeverisë.

Mickoski pret sot t’i marrë edhe zyrtarisht propozimet nga partnerët e koalicionit dhe në Parlament nesër t’i parashtrojë propozim-përbërjen dhe programin për punë të Qeverisë, në mënyrë që të votohet gjatë fundjavës së ardhshme.

“Pres realizim të suksesshëm përkatësisht votimi të përfundojë gjatë fundjavës së ardhshme 22-23 qershor.”, deklaroi Mickoski. Qeveria e re do të ketë 20 ministri, katër më shumë se e tanishmja, pasi që para një jave u miratuan ndryshimet për riorganizim të administratës shtetërore, për të cilat ishte siguruar shumicë prej dy të tretash me disa nga deputetët e “Frontit Evropian”.

Në zgjedhjet parlamentare që u mbajtën muajin e kaluar koalicioni “Maqedonia Jote” fitoi 58 deputetë, VLEN-i 14 dhe “E di” 6 deputetë.