Çmimi i ri i energjisë elektrike, KRrE: Do të mësohet në fund të muajit

17.06.2024 15:04

Deri në fund të muajit do të dihet nëse do të rritet çmimi...

Deri në fund të muajit do të dihet nëse do të rritet çmimi i energjisë elektrike. Numri një i Komisionit Rregullativ, Bislimovski, thotë se duhet pritur, ndonëse është kategorik se ka lajme të këqija. Sipas Bislimovskit, çmimi i përcaktuar për ESM-në nga Qeveria, 60 euro për megavat orë, është një rritje prej 3 eurosh nga çmimi i mëparshëm. Ai më tej shton se ankandi i tenderit për blerjen e energjisë elektrike për amvisëri është caktuar për datën 20 qershor, pas së cilës Autoriteti Rregullativ do të marrë vendim përfundimtar.

“Çmimi që është përcaktuar për ESM-në nga Qeveria është 60 euro për megavat orë, që është rritje për 3 euro nga çmimi i kaluar që ishte 57 euro për megavat orë dhe tani do të sigurohen 85 për qind nga nevojat e amvisërive që furnizohen nga furnizuesi universal dhe ky është lajm i keq, sepse ka ndikim serioz mbi çmimin definitiv të konsumatorëve, por po  presim, sepse tenderi është më 20 qershor. Komisioni rregullator i energjetikës është në komunikim me furnizuesin universal që të ketë ndryshime në tender, me qëllim të vetëm që të mos shkaktohen rritje enorme të çmimit.”, - deklaroi kryetari i KRrE-së, Marko Bislimovski.

Sipas Bislimovskit, në vendin tonë ka keqmenaxhim edhe me ndërmarrjen e ujësjellësit dhe po ashtu humbjet në rrjetin e ujësjellësit shënojnë 62 për qind, andaj nevojiten investime urgjente në këtë sektor.

“Kemi probleme serioze, ka shumë pak investime dhe ndodh të kemi edhe defekte të mëdha dhe duhet të fillojnë investimet në këtë sektor. T’i ulim humbjet dhe të rritet efikasiteti i punës i ndërmarrjes së ujësjellësit.”, - theksoi kryetari i KRrE-së, Marko Bislimovski.

Komisioni rregullator i energjetikës ka kërkuar të përcaktojë çmimin edhe për ujin e pijshëm, sepse siç thotë Bislimovski, tani vetëm përcakton çmimin minimal dhe maksimal dhe pastaj këshillat e komunave marrin vendimin përfundimtar. Në këtë mënyrë, sipas Bislimovskit, ka mundësi për manipulim politik  me çmimin e ujit. (Flutura Latifi, TVM2)