Maqedoni

Formimi i Qeverisë, propozimi, të martën në Kuvend, Mickoski: Nisim punën menjëherë

17.06.2024 15:19

Mandatari Hristijan Mickoski, propozimin për Qeverinë e re, së bashku me programin...

Mandatari Hristijan Mickoski, propozimin për Qeverinë e re, së bashku me programin, nesër e dorëzon në Kuvend për votim. Seanca nis të shtunën dhe pritet të përmbyllet më së voni të dielën në mesnatë. Se si do vijojë seanca pritet që të shihet nga numri i të deputetëve të paraqitur për fjalë. Mandatari Hristijan Mickoski, me rastin e 34-vjetorit të partisë tha se Qeverinë e re e pret shumë punë dhe kërkoi nga ministrat e ri angazhim të sinqertë në përputhje me ligjin.
 
“Nuk kemi 100 ditë, as 100 minuta. Nevojitet punë e fuqishme nga minuta e parë e ditës së parë. Askush nga ju nuk mund të ketë biznese private dhe të udhëheqë institucione, duhet bërë njërën ose tjetrën, duhet të vendosni. Shërbimi ndaj popullit kërkon heqje dorë. Nuk ka biznes, politikanë.”, - deklaroi mandatari, Hristijan Mickoski.
 
Mickoski theksoi se do të punojë për çështjet strategjike sikurse anëtarësimi në BE, ndërkaq tha se për zgjidhjen e çështjeve nacionale do të jetë i hapur për bashkëpunim me opozitën.
 
“Ne nuk do të humbmi në këtë rrugë me marrëveshje joparimore dhe të dëmshme për shtetin. Rrugëdalja jonë do të jetë puna jonë, ardhmëria jonë do të jetë forca jonë e fituar nga vullneti i qytetarëve.”, - theksoi mandatari, Hristijan Mickoski. 
 
Kabineti i ri qeveritar do të përbëhet nga koalicioni i kryesuar nga VMRO – DPMNE, VLEN  dhe “E di”, ku në krye me Mickoskin do të numërojë 24 anëtarë. Do të ketë pesë zëvendëskryeministra, vetëm tre gra dhe katër emra të ri. Koalicioni i kryesuar nga VMRO – DPMNE në qeveri do të ketë 15 përfaqësues, tre prej tyre në poste zëvendëskryeministrore. Koalicioni VLEN do të drejtojë 5 ministri dhe do të ketë një zëvendëskryeministër, ndërkaq koalicioni “E di” dy ministri. 
 
Mickoski në postet zëvendërskryeministrore vë edhe emra të partisë socialiste, Lupço Dimovskin, por edhe Partisë Demokratike të Serbëve, Ivan Stoillkoviq. Eshalonit të parë i bashkëngjitet edhe Shaban  Saliu, ministër pa resor për zbatimin e dekadës së romëve. Koalicioni VLEN përfaqësohet nga Izet Mexhiti si zëvendëskryeministër i parë, njëherësh edhe ministër i Ekologjisë; Orhan Murtezani, ministër i Integrimeve Evropiane, në Ministrinë e Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjëve, Fatmir Limani; Ministrinë e Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi; Arben Taravari do të menaxhojë Shëndetësinë.
 
MERAL ISMAILI