Botë
Britania e Madhe lë në fuqi masën “non grata” për Berishën
17.06.2024 16:44
Komisioni Special i Apelimit të Emigracionit (SIAC) në Britaninë e madhe la në fuqi masën “non grata”...

Komisioni Special i Apelimit të Emigracionit (SIAC) në Britaninë e madhe la në fuqi masën “non grata” për ish-kryeministrin Sali Berisha, për korrupsion dhe lidhje të dyshuara me krimin, vendim i marrë më 21 korrik të vitit 2022 nga ish-sekretarja e Brendshme, Priti Patel. Masa “non grata” ishte apeluar nga Berisha në mars të këtij viti me argumentin se është i pabazuar në prova. Nga arresti shtëpiak, Berisha reagoi për vendimin, duke e quajtur të sponsorizuar nga kundërshtarët e tij politikë në bashkëpunim me Sorosin.
“Ky proces përfundoi sot, pas dy vitesh, me lënien në fuqi të vendimit të Home Office nga Komisioni i Apelimit, duke dëshmuar kështu dështimin e plotë të këtij komisioni në goditjen e korrupsionit në segmente të administratës së Britanisë së Madhe. Kjo provon qartë se, jo vetëm SIAC nuk ka hetuar zbulimin e të vërtetës siç pohon vetë, por edhe se vendimi i sekretares është marrë në bazë të artikujve të mediave të sponsorizuar nga Sorosi dhe deklaratave të kundërshtarëve të mi politikë, Rama, Basha, Veliaj.”, - deklaroi kryetari i PD-së, Sali Berisha.
Berisha shkon më tej kur thotë se qëllimisht i kanë përjashtuar administrimin e provave nga procesi, në mënyrë që vendimi të ishte në favor të Ministrisë së Brendshme Britanike.
“Provat janë dorëzuar absolutisht brenda afatit, por zyrtarët ligjorë të Home Office nuk ia kanë paraqitur sekretares të këtij institucioni, me qëllim që ajo të mos njihej me përmbajtjen e tyre dhe për rrjedhojë të mos pranoheshin më pas nga SIAC, meqë sekretarja nuk i kishte pasur para saj në momentin e marrjes së vendimit. Pasi ambasadori Alastair King Smit, i shkruante autoriteteve të tij se heqja e ekspulsionit për Berishën, qoftë me vendim nga Home Office apo me vendime të tjera ligjore do të ulte reputacionin e Mbretërisë së Bashkuar.”, - theksoi kryetari i PD-së, Sali Berisha.
Gëzimi për fitoren e vulës duket se nuk i zgjati shumë Sali Berishës, pozitat e të cilit në raport me ndërkombëtarët nuk kanë ndryshuar aspak. Më herët, Shtetet e Bashkuara që e shpallën të parat “non grata”, deklaruan se nuk do të ndryshojnë qëndrim ndaj atyre që fusin në listë të zezë.
LULJETA NDOKA
