Botë

Lufta në Gazë, Netanjahu: Shpërbëhet kabineti i luftës

17.06.2024 17:12

Pas tetë muajve luftë në Gazë dhe mijëra viktimave, në mesin e përfaqësuesve politike të Qeverisë së Netanjahut...

Pas tetë muajve luftë në Gazë dhe mijëra viktimave, në mesin e përfaqësuesve politike të Qeverisë së Netanjahut është ngjallur revolt për keqmenaxhimin e luftës. Tetë ditë pasi Beni Gantz dha dorëheqjen, kryeministri Benjamin Netanjahu ka thënë se kabineti i luftës është shpërbërë. Këtë njoftim e bëri gjatë një takimi të kabinetit politik të sigurisë. Megjithatë, Netanjahu pritet të vazhdojë të mbajë “konsultime sigurie” për luftën me zyrtarë kryesorë, përfshirë ata që kishin qëndruar në kabinetin e luftës tani të shpërbërë. Në Izrael edhe popullata proteston për muaj me radhë kundër Qeverisë së Netanjahut. Ushtria izraelite kërkoi një pauzë për të lejuar ndihmat humanitare në Gazë, pavarësisht se ky vendim nuk është mirëpritur nga vetë kryeministri i Izraelit dhe ministri i Sigurisë Kombëtare, Ben Gvir.
 
“Ky nuk është një armëpushim i plotë, ky është një armëpushimi i shkurtër në disa pjesë të Gazës, pranë pikës kufitare Kerem Shallon. Ka shumë pikëpyetje se si do të funksionojë kjo, por nëse funksionin kjo do të thotë një hap shumë i rëndësishëm dhe lehtësim për gjendjen humanitare në Gazë.”, - deklaroi Xho Federman nga “Asoshieted Press”.
 
Lufta në Gazë ka përkeqësuar raportet e Izraelit dhe aleatëve të tij edhe me vendet tjera të Lindjes së Mesme. Forcat ushtarake Houthi të Jemenit kanë sulmuar anijet e marinës amerikane që kanë dërguar armatim për Izraelin, që të mos vazhdojë luftën në Gazë.
 
“Forca raketore dhe forcat detare të Forcave të Armatosura të Jemenit kryen dy operacione ushtarake në Detin e Kuq. I pari shënjestroi një anije të marinës amerikane me disa raketa balistike, ndërsa e dyta ka shënjestruar me disa raketa të përshtatshme detare anijen "Captain Paris". Forcat e Armatosura të Jemenit do të vazhdojnë në solidaritet me popullin palestinez, të kundërpërgjigjen ndaj agresionit deri sa agresioni ndalet dhe rrethimi mbi popullin palestinez në Rripin e Gazës të hiqet.", - theksoi zëdhënësi i Forcave Ushtarake Houthi të Jemenit, Jahja Sarea.
 
Edhe organizata e Hezbollahut në Liban ka kryer një mori sulmesh mbi territoret e Izraelit, njoftojnë autoritetet izraelite. "Sulmet në rritje të Hezbollahut na sjellin në prag të një përshkallëzimi më të gjerë.", tha zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Daniel Hagari.
 
“Organizata terroriste e Hezbollahut në Liban ka përshkallëzuar sulmet e saj kundër Izraelit. Hezbollahu ka lëshuar mbi 5.000 raketa; raketa antitank dhe UAV-të shpërthyese nga Libani ndaj familjeve, shtëpive dhe komuniteteve izraelite po na sjellin në prag të një përshkallëzimi më të gjerë, i cili mund të ketë pasoja shkatërruese për Libanin dhe për të gjithë rajonin të Libanit.”, - u shpreh zëdhënësi i Ushtrisë Izraelite, Daniel Hagari.
 
Ndërkohë, Hezbollahu ende nuk ka dhënë ndonjë vlerësim lidhur me deklaratat e Hagarit. Numri i palestinezëve të vrarë në sulmet e ushtrisë izraelite në Rripin e Gazës që nga 7 tetori i vitit 2023 është rritur në 37.347, shumica e tyre janë gra dhe fëmijë.
 
FARIJE DAUTI BAKIJU