Liderët e BE-së ende pa marrëveshje për postet kryesore

18.06.2024 10:49

Liderët e Bashkimit Evropian...

Liderët e Bashkimit Evropian nuk u pajtuan për emërimin e drejtuesve të rinj të institucioneve evropiane, në takimin e tyre më 17 qershor.

Mungesa e marrëveshjes u konfirmua nga presidenti në largim i Këshillit Evropian, Charles Michel.

“Është detyra jonë që deri në fund të qershorit të biem dakord për kandidatët për postet kryesore në BE dhe agjendën strategjike”, tha Michel në fund të darkës së punës së liderëve evropianë.

Gjithçka ndryshoi kur liderët e atyre vendeve apo qeverive që vinë nga blloku popullor evropian kërkuan një pjesë në postin e presidentit të Këshillit Evropian. Presidenti i Këshillit Evropian zgjidhet nga liderët e BE-së për një periudhë dy vjet e gjysmë dhe mandati mund të rinovohet vetëm një herë.

Roli i presidentit të Këshillit Evropian është të kryesojë takimet në nivel të liderëve të BE-së dhe të përmirësojë punën e Këshillit Evropian.

Që kur ekziston institucioni i presidentit të Këshillit Evropian, secili prej tyre ka kaluar dy mandate të plota prej pesë vitesh në krye të institucionit.

Sipas disa burimeve nga takimi, Partia Popullore Evropiane ka kërkuar që mandati i presidentit të Këshillit Evropian të ndahet në dy pjesë nga dy vjet e gjysmë, ku Partia Popullore do të merrte një nga mandatet. Kjo dukej se ishte pengesa kryesore dhe ishte arsyeja pse drejtuesit nuk u pajtuan.

Liderët do të vazhdojnë diskutimet në fund të javës së ardhshme kur të mbahet samiti i rregullt i BE-së, më 27 dhe 28 qershor.