Botë
Liderët e BE-së ende pa marrëveshje për pozitat
18.06.2024 14:14
Liderët e vendeve të Bashkimit Evropian nuk kanë arritur një marrëveshje përfundimtare për kandidatët për postet drejtuese në bllok....

Liderët e vendeve të Bashkimit Evropian nuk kanë arritur një marrëveshje përfundimtare për kandidatët për postet drejtuese në bllok. Partitë politike kanë paraqitur propozimet dhe në bazë të tyre do të punohet për arritjen e marrëveshjes. Pas takimit të mbrëmshëm në Bruksel, presidenti i Këshillit Evropian, Sharl Mishel, tha se transparenca është e rëndësishme në të gjithë procesin dhe se në miratimin e saj duhet të përfshihen të gjitha 27 vendet anëtare të BE-së.
“Është shumë e qartë se gjatë muajit qershor duhet të marrim dy vendime të rëndësishme. Njëra lidhet me ciklin institucional bazuar në rezultatet e zgjedhjeve të Parlamentit Evropian dhe vendimi i dytë i rëndësishëm ka të bëjë me Agjendën Strategjike, për të cilën kemi filluar të punojmë shumë muaj më parë.”, - deklaroi kryetari i Këshillit Evropian, Sharll Mishell.
Sipas ndarjes së pushteteve të BE-së, udhëheqësit duhet të emërojnë presidentin e ardhshëm të komisionit, i cili do të jetë përgjegjës për bërjen e politikave, nga klima te buxheti i përbashkët.
“Kur nuk ka vendim në BE, gjithmonë mund të shkosh në një drejtim tjetër. Por nuk mendoj se do të kemi një përsëritje të vitit 2019, kur u hodh shorti dhe gjithçka ishte gati për tre ditë. Ky nuk është rasti këtu.”, - theksoi kryeministri i Holandës, Mark Rute.
Katër emra janë në lojë për pozitat kyçe. Ursula von der Lejen shpreson për rizgjedhje si kryetare e Komisionit Evropian. Ish-kryeministri portugez, Antonio Kosta, pretendon të bëhet President i Këshillit Evropian. Kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas, pret të jetë kreu i ri i diplomacisë evropiane. Maltezja Roberta McColla duhet të mbetet kryesuese e Parlamentit Evropian.
“Ne jemi ende në një luftë që po vazhdon në Evropë. Kemi shumë sfida përpara nesh, veçanërisht për migrimin, ndryshimet klimatike. Ne kemi ende nevojë për një Bashkim Evropian social, të balancuar dhe në të ardhmen duhet të kemi një Evropë më të fortë. Me gjithë këto sfida dhe të gjitha vendimet përpara nesh, mendoj se është e rëndësishme të marrim një vendim sa më shpejt dhe sa më shpejt të jetë e mundur.”, - u shpreh kryeministrja e Danimarkës, Mete Frederiksen.
Në zgjedhjet evropiane nga 6 deri më 9 qershor, e djathta shkaktoi vështirësi për partitë kryesore në pushtet në Paris dhe Berlin. Franca ka shpallur zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 30 qershor dhe 7 korrik.
FLUTURA LATIFI
