Të shtunën, seanca për zgjedhjen e Qeverisë së re
19.06.2024 10:17
Pasi dje në Kuvend mandatari Hristian Mickoski dorëzoi propozimin për përbërjen e Qeverisë dhe programin e saj të punës...

Pasi dje në Kuvend mandatari Hristian Mickoski dorëzoi propozimin për përbërjen e Qeverisë dhe programin e saj të punës, kryeparlametari, Afrim Gashi, e ka caktuar për të shtunën seancën për zgjedhjen e Qeverisë së re. Fillimi i seancës është caktuar në orën 11:00, ndërsa rregullores së shtëpisë ligjvënëse, diskutimi në parlament mund të zgjasë më së shumti dy ditë. Fillimisht mandatari para deputetëve e sqaron programin dhe propozimin për përbërjen Qeverisë e më pas zhvillohet debat.
Votimi për zgjedhjen e Qeverisë bëhet sipas propozimit për përbërjen e Qeverisë në tërësi, me votim publik. Votimi bëhet pas përfundimit të diskutimit, jo më vonë se ora 00:00. Qeveria zgjidhet nëse “për” ka votuar shumica e numrit të përgjithshëm të deputetëve, pra 61 vota “për”. Kryetari i Kuvendit e njofton presidentin e shtetit për zgjedhjen e Qeverisë.
Qeveria e ardhshme, duke përfshirë edhe Mickoskin si kryeministër, do të ketë 24 anëtarë. Ai do të ketë pesë zëvendës ose zëvendëskryeministra, njëri prej tyre, si “zëvendëskryeministër i parë”. Këtë post do ta mbajë kryetari i Lëvizjes Demokratike nga koalicioni VLEN, Izet Mexhiti, i cili do të jetë edhe ministër i Mjedisit dhe Ekologjisë.
Në kabinetin qeveritar të Mickoskit, 15 anëtarë janë nga koalicioni i udhëhequr nga VMRO-DPMNE-ja, gjashtë nga koalicioni VLEN dhe dy nga Lëvizja “E di”. Në Kuvend ky koalicion ka një shumicë prej 78 deputetësh.
SANIJE DURAKU
