Raporti i Borrellit: Të hiqen masat e BE-së ndaj Kosovës
19.06.2024 11:45
Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell...

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, u ka rekomanduar shteteve anëtare që të marrin qëndrim për heqjen e masave ndaj Republikës së Kosovës. Siç njoftojnë mediat kosovare, në raportin e Borrellit thuhet se rekomandimi bazohet në hapat që ka ndërmarrë Kosova në përmbushjen e kërkesave të BE-së.
“Duke marrë parasysh hapat që ka ndërmarrë Kosova drejt përmbushjes së kërkesave të BE-së të shprehura në deklaratën e 3 qershorit të vitit 2023, përfaqësuesi i lartë i rekomandon Këshillit që të marrë qëndrimin e heqjes së masave ndaj Kosovës, në të njëjtën kohë duke respektuar prerogativat institucionale.”. Thuhet në Raportin i cili do të diskutohet edhe në Komitetin për Politikë dhe Siguri, ndërsa Borrelli në raport thekson se vendimi nga ana e Këshillit do të ishte sinjal politik dhe do të kontribuonte në kontekstin e balancuar në të cilin dialogu Prishtinë-Beograd, që lehtësohet nga BE-ja, mund të ecë përpara.
"Nga Kosova pritet që ta shfrytëzojë këtë mundësi për të vepruar në mënyrë të uljes së tensioneve, të evitojë veprimet e pakoordinuara.", thuhet në raportin e Borrellit.
Në raport, thuhet se BE-ja do të vazhdojë të ndjekë nga afër zhvillimet në veri të Kosovës, si dhe veprimet e Kosovës dhe Serbisë, të cilat, sipas tij, nuk duhet të krijojnë tensione të reja. Masat ndaj Kosovës u vendosën para një viti pas përshkallëzimit të situatës së sigurisë në veri të Kosovës, kur nisën me punë kryetarët shqiptarë të komunave veriore, të dalë nga zgjedhjet që u bojkotuan nga serbët lokal.
GYLTENE SINANI
