RMV-ja në fazën e portokalltë, lirohen nga puna kategoria e rrezikuar e popullatës
Qeveria i miratoi rekomandimet e Ministrisë së Shëndetësisë....

Qeveria i miratoi rekomandimet e Ministrisë së Shëndetësisë për uljen e rreziqeve nga temperaturat e larta, duke liruar nga detyrimet e punës grupet më të rrezikuara të popullatës: gratë shtatzëna dhe personat mbi 60 vjet.
Nëpër çerdhe të mos praktikohet aktiviteti fizik dhe fëmijët mos të nxirren jashtë nga ora 11:00 deri në 17:00.
Vendi ynë nga dita e sotme ka hyrë në fazën e portokalltë, që do të zgjasë deri në fundjavë.
Temperaturat do të variojnë mes 30 dhe 40 gradë celsius. Pacientët me sëmundje kronike duhet të kujdesen më shumë për shëndetin e tyre që të mos dalin pa nevojë në këtë periudhë, të marrin terapinë në kohë, të rehidrohen me ujë dhe lëngje.
Nga ndihma e shpejtë thonë se intervenojnë në raste urgjente dhe japin këshilla për pacientët. Apelojnë qytetarët që t’i respektojnë rekomandimet e Ministrisë së Shëndetësisë.
“Prej mëngjesit kemi intervenuar në 3 vende publike, ku kishte kolapse, kishte dhe një aksident trafiku me lëndime të lehta. Në këto temperatura të larta aktual është edhe virusi i barkut. Duhet të jemi të kujdesshëm kur kemi raste urgjente, të intervenojmë menjëherë. Qytetarët ankohen më shumë nga tensioni i gjakut. Më shumë kujdes në këtë periudhë duhet të kenë pacientët që marrin terapi të rregullt, ata që marrin ilaçe antihipertenziv. Për këshilla jemi të qasshëm në çdo kohë.”, - deklaroi mjekja në Ndihmën e shpejtë, Anita Dimovska.
Qytetarët e anketuar thonë që në këto temperatura të larta dalin kur kanë nevojë, por ka edhe qytetarë që nuk u pengon i nxehti në këtë periudhë kohore.
“Vetëm me nevojë, ja, kemi punë pak te mjeku këtu. Po e marrim terapinë atë që na ka përshkruar mjeku amë. Po sa të mundemi, deri sa erdha këtu rrugës jam freskuar, se nuk përballohet.”, - tha një qytetar.
“Po, më shumë rrimë në shtëpi në këtë periudhë, e dalim kur kemi nevojë.”, - tha një qytetar tjetër.
“Po është verë, nuk më pengon i nxehti. 64 vite i kam bërë.”, - u shpreh një qytetar.
“Dalim, por vetëm kur kemi nevojë. Jo momentalisht. Po sigurisht që duhet, ka nevojë trupi.”, - u shpreh një qytetar tjetër.
Nga Drejtoria për punë hidrometeorologjike informojnë se vala e të nxehtit do të vazhdojë edhe në periudhën në vijim, të dielën pritet të freskohet moti. (Vlora Latifi – Topojani, TVM2)
