Maqedoni
Enti shtetëror i revizionit: Detektohen gabime në funksionimin e FSSh-së
19.06.2024 15:24
Enti Shtetëror i Revizionit ka konstatuar se Fondi i Shëndetësisë nuk ka kontroll adekuat...

Enti Shtetëror i Revizionit ka konstatuar se Fondi i Shëndetësisë nuk ka kontroll adekuat mbi kryerjen e shërbimeve shëndetësore në objektet shëndetësore dhe për këtë arsye nuk është siguruar konfirmimi i plotë i faturave për shërbimet e ofruara shëndetësore. Kjo bëhet e ditur nga raporti i fundit për dobësitë në kontrollin e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore.
"Mosekzistenca e një sistemi të integruar të lëshimit të udhëzimeve, raporteve mjekësore dhe llogaritjeve për shërbimet shëndetësore të kryera, që janë bazë për përgatitjen e faturave mujore, krijon rrezik për neglizhencë dhe gabime. Kontrolli i sistemit dhe manual në procesin e përshkrimit dhe lëshimit të ilaçeve, nuk janë mirë të vendosura dhe të zbatuara dhe ekziston rreziku i pagimit të faturave për receta të ndryshme në formë dhe vëllim që dallon nga realiteti.", thuhet në raportin e Entit shtetëror të revizionit.
Nuk janë kryer kontrolle financiare për shpenzimet e mjeteve për furnizimin dhe evidencën e barnave dhe për shërbimet shëndetësore të kryera. Ekzistojnë dobësi dhe paqartësi edhe në procedurën për trajtim në shtetet e huaja, konstatuan revizorët.
"Në procedurën për trajtim në shtetet e huaja për personat e siguruar ekzistojnë dobësi dhe paqartësi, ku nuk është siguruar mbrojtja ligjore adekuate për kërkuesit dhe nuk është vendosur kontrolli dhe sistemi për monitorimin e suksesit të trajtimit në shtetet e huaja. Kërkesat për avancat e dhëna për trajtimin në shtetet e huaja janë regjistruar pjesërisht dhe nuk janë vendosur kontrolle të përshtatshme për konfirmimin e faturave nga spitalet e huaja. Kjo situatë ka rezultuar në kërkesa ankuese nga spitali i huaj, për të cilat ka paqartësi për rezultatin përfundimtar.", thuhet nga Zyra Shtetërore e Revizionit.
Institucionet publike shëndetësore dhe Fondi për Sigurimin Shëndetësor nuk kanë bërë analizë edhe për ndryshimin aktual të kostove të shërbimeve dhe përditësimin e listës së barnave në ngarkesë të Fondit, thuhet në raportin e Entit shtetëror të revizionit.
ARDITA IMERI
