Botë

Lufta në Gazë, lëkunden raportet mes Izraelit dhe ShBA-së

19.06.2024 15:57

Përkundër thirrjeve për armëpushim, Izraeli edhe më tej vazhdon bombardimet mbi Rripin e Gazës....

Përkundër thirrjeve për armëpushim, Izraeli edhe më tej vazhdon bombardimet mbi Rripin e Gazës. Gjatë 24 orëve të fundit janë vrarë afro 40 persona, në mesin e tyre gra dhe fëmijë. Palestinezët inspektojnë rrënojat dhe marrin trupat pas një sulmi izraelit në lagjen Sheikh Radvan, në qytetin e Gazës.
 
"Ne gjetëm trupat e disa martirëve dhe të plagosurve dhe i dërguam në Kompleksin Mjekësor “AL-Mamadani”. Shumica e tyre ishin të vdekur, disa gra dhe fëmijë u dogjën si rezultat i bombardimeve izraelite.”, - deklaroi drejtori i ambulancës në Gazë, Husein.
 
"Unë isha në gjumë dhe mbërrita këtu pasi dëgjova goditjen dhe zbulova se shtëpia e familjes Abu Safiya u përfshi nga zjarri dhe u shkatërrua. Në shtëpi ndodheshin afërsisht 40 persona, shumica kanë vdekur. Nuk di nëse ka të mbijetuar.”, - tha banori i Gazës, Nidal Salem.
 
Përveç vdekjeve si pasojë e bombardimeve, një pjesë e popullsisë në Gazë vdesin edhe nga uria. OKB-ja thotë se rrugët për kalimin e mallrave humanitare janë të rrezikshme.
 
“Zona midis Kerem Shalom dhe rrugës Salah al-Din është shumë e rrezikshme për punëtorët humanitarë për të lëvizur mallrat. Luftimet nuk janë arsyeja e vetme që na pengojnë për të dërguar ndihma. Mungesa e ndonjë policie apo shteti ligjor në zonë e bën shumë të rrezikshëm lëvizjen e mallrave atje. Njerëzit në Gazë, nuk vdesin vetëm nga bombardimet, por edhe nga mungesa e ushqimit.”, - theksoi zëvendëszëdhënësi i OKB-së, Farhan Haq.
 
ShBA-ja ka filluar t’i kufizojë disa armatime për Izraelin, për shkak se kryeministri Benjamin Netanjahu paralajmëroi ofensivë ushtarake në Rafah, ku janë strehuar civilët.
 
"Siç e dini, ne po vazhdojmë të shqyrtojmë një dërgesë për të cilën ka folur presidenti Bajden, në lidhje me bombat 2.000 paund, për shkak të shqetësimeve tona për përdorimin e tyre në zona me popullsi të dendur. Si p.sh. Rafahu, kjo mbetet në shqyrtim, por çdo gjë tjetër po ecën siç do të lëvizte normalisht dhe përsëri, me perspektivën për t'u siguruar që Izraeli të ketë atë që i nevojitet për të mbrojtur veten nga shumë sfida.”, - u shpreh sekretari i shtetit i ShBA-së, Antoni Blinken.
 
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu, ka kritikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë Shtetet e Bashkuara dhe sekretarin amerikan të Shtetit, Antoni Blinken, për heqjen e kufizimeve për armët që duhet të dërgohen në Izrael. Me tone nervoze dhe kërcënuese, Netanjahu tha se Uashingtoni "nuk dëshiron ti dërgojë armë Izraelit”.
 
“Kur sekretari Blinken ishte kohët e fundit këtu në Izrael, patëm një bisedë të sinqertë. I thashë se vlerësoja thellësisht mbështetjen që ShBA-ja i ka dhënë Izraelit që nga fillimi i luftës. Por, unë thashë edhe diçka tjetër, thashë se është e paimagjinueshme që në muajt e fundit, administrata të ketë mbajtur armë dhe municione për Izraelin, pra nuk do të na dërgojë neve. Sekretari Blinken më siguroi se administrata po punonte ditë e natë për të hequr këto pengesa. Unë sigurisht shpresoj që të jetë kështu.”, - deklaroi kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu.
 
Reagimi i ashpër i Netanjahut vjen në momentin kur Izraeli po finalizon planin për luftën me organizatën e fuqishme të mbështetur nga Irani, Hezbollah. Ushtria izraelite ka bërë të ditur se planet operacionale për një ofensivë në Liban janë "miratuar dhe vërtetuar", duke përshpejtuar "gatishmërinë e forcave në terren". Si kundër reagim, Shtëpia e Bardhë ka anuluar një takim të nivelit të lartë të fokusuar mbi Iranin me përfaqësuesit izraelitë, për shkak të polemikave me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanjahu, por edhe planit për sulmin ndaj Hezbollahut.
 
FARIJE DAUTI BAKIJU