Maqedoni
Shtabi i përgjithshëm i Armatës: Humbi jetën ushtari profesionist 25-vjeçar
20.06.2024 11:11
Një ushtar profesionist njëzet e pesë vjeçar ka ndërruar jetë në poligonin Krivolak...

Ushtari profesionist A.J. (25) ka humbur jetën mbrëmë rreth orës 23:15 në Klinikën e Anestezisë, Reanimacionit dhe Mjekimit Intensiv, ka bërë të ditur Shtabi i Përgjithshëm i Armatës së Maqedonisë së Veriut. Nga Shtabi thonë se ushtari ishte një nga kandidatët që ndoqi kursin selektiv për batalionin e forcave speciale dhe ishte në gjendje të mirë shëndetësore dhe në gjendje të shkëlqyer fizike. Prej atje thonë se në përfundim të kryerjes së disiplinës së fundit të kursit selektiv 24 ditor, gjatë marshimit në distancë, ai u sëmurë pa shenja paraprake të dukshme në orët e vona të pasdites, pas orës 18:30, pas çka ka humbur ndjenjat.
“Menjëherë me automjetin e spitalit të ushtrisë dhe i shoqëruar nga mjeku ushtarak është dërguar në objektin më të afërt shëndetësor në Shtëpinë shëndetësore në Negotinë, pas çka pas ekzaminimeve intervenuese me veturë spitalore është dërguar në Klinikën për Mjekim Intensiv të Shkupit. Me të mbërritur, stafi filloi të marrë të gjitha masat për reanimim, por pas një kohe të shkurtër u konstatua vdekja.”, njofton Shtabi i Përgjithshëm.
Udhëzime për procedurë të mëtutjeshme dhe përcaktimin e rrethanave në të cilat ka ndodhur aksidenti gjatë orëve të natës janë dhënë nga prokurori publik, i cili do ta udhëheqë procedurën e mëtutjeshme hetimore. Raporti zyrtar për shkaqet e vdekjes së pjesëtarit të armatës do të bëhet i ditur pas kryerjes së autopsisë nga Instituti i Mjekësisë Ligjore në Shkup.
FARIJE DAUTI BAKIJU
