Maqedoni
MASh: Fillon regjistrimi elektronik në shkolla të mesme
20.06.2024 11:25
Nga sot deri të martën do të bëhet regjistrimi i parë elektronik i nxënësve për në arsimin e mesëm...

Prej 20 e deri më 25 qershor do të bëhet regjistrimi në formë elektronike i nxënësve në arsimin e mesëm për vitin shkollor 2024/2025. Paraqitja bëhet përmes linkut në portalin e shërbimeve elektronike të Ministrisë së Arsimit (e-uslugi.mon.gov.mk), me njoftim të veçantë për nxënësit e shkollave të mesme përmes profileve të tyre të përdoruesve në schools.mk.
“Udhëzimet për hyrjen në sistem dhe plotësimin e aplikacionit do të vendosen me link në faqen e kyçjes.”, njofton Ministria e Arsimit.
Më 26 qershor deri në orën 09:00 çdo shkollë duhet të publikojë listën përfundimtare të renditjes me rezultatet e regjistrimit dhe vendet e lira të mbetura pas afatit të parë. Në shkollat ku do të ketë testim kualifikues, ai do të organizohet më 28 qershor, kurse listat përfundimtare me rezultatet do të shpallen më 28 qershor në ambiente publike të shkollës. Afati i dytë për regjistrim do të jetë më 1 dhe 2 korrik deri në orën 15:00.
GYLTENE SINANI
