Botë

Vukçeviq: Thaçi mund të arrestohet nëse vjen në Beograd

16.04.2015 15:44

Prokurori për krime lufte i Serbisë, Vladimir Vukçeviq, ka paralajmëruar se fletarrestimi për Hashim Thaçin...

Prokurori për krime lufte i Serbisë, Vladimir Vukçeviq, ka paralajmëruar se fletarrestimi për Hashim Thaçin ende është në fuqi, kështu që ai mund të arrestohet nëse shkon në Beograd.
 
“Është e vërtetë se Interpoli i ka stopuar fletarrestimet për Thaçin në vendet e tjera me arsyetimin se bëhet fjalë për funksionarët më të lartë shqiptarë, por në Serbi ai është në fuqi, kështu që nëse vjen këtu mund ta arrestojmë”- ka thënë Vukçeviq për “Blic”.
 
Mediat e Serbisë dhe Kosovës lajmëruan dje se zëvendëskryeministri dhe shef i diplomacisë kosovare do të qëndrojë në fund të muajit në Beograd, me ftesë të organizatës joqeveritare serbe “Ambasadorët e Paqes”, për të marrë pjesë në një konferencë për integrimet evropiane të vendeve të rajonit.
 
Organizatori ka paralajmëruar pjesëmarrjen e ministrave të jashtëm të katër vendeve ballkanike, ndërsa Thaçi, sipas disa mediave, ka paralajmëruar se me gjasë do të shkojë në Beograd.
 
Në anën tjetër, shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq, ka thënë se s’ka nevojë që Thaçi të vijë në Beograd.
 
“Atë tubim nuk e organizon Qeveria e Serbisë, unë as që kam planifikuar të marr pjesë në të, kështu që nuk besoj se ka nevojë që Hashim Thaçi të vijë në Beograd”- ka thënë Daçiq.