Ekonomi
Çmimi i energjisë, Mickoski: Nuk do të ketë rritje dramatike
20.06.2024 14:05
Mandatari për formimin e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski...
Mandatari për formimin e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka propozuar në Kuvend ligj me të cilin do të ndërpritet rritja dramatike e energjisë elektrike. Mickoski sqaroi se bëhet fjalë për propozim-ligjin me të cilin nuk do të ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike për amvisëritë, gjegjësisht, standardi i qytetarëve do të jetë i mbrojtur.
“Me këtë ligj i cili është plotësim i ligjit të energjetikës me procedurë të shkurtuar, meqë bëhet fjalë për të njëjtin person juridik t’ia mundësojmë Komisionit Rregullator vetëm ta vazhdojë vlefshmërinë e licencës që të mos humbim kohë dhe qytetarët të marrin fatura të larta, por thjesht KRrE-ja të ketë mundësi që me këtë ligj, furnizuesit të vjetër menjëherë t’ia vazhdojë vlefshmërinë e licencës për furnizimin e konsumatorëve në tregun e rregulluar. Nëse miratohet ky ligj do të ulet marzha nga 11.5 në 9.9% dhe nëse furnizuesi universal bën optimizimin e portofolit të tij, përkatësisht optimizim të sasive të energjisë elektrike, ju garantoj se qytetarët nuk do të marrin fatura më të larta për energji elektrike.”, - deklaroi mandatari për formimin e Qeverisë, Hristijan Mickoski.
Mickoski thekson se me këto ndryshime ligjore, veçanërisht amvisëritë që janë në grupin e parë dhe të dytë, nuk do të fitojnë fatura të larta të energjisë elektrike. Po ashtu edhe për ata, nga grupi i tretë dhe i katërt, rritja e çmimit të energjisë elektrike pritet të mos jetë e lartë, por ajo të sillet nga 1 deri në 2%.
SANIJE DURAKU