Maqedoni
Votimi i Qeverisë, Mickoski: Pres debat konstruktiv
20.06.2024 15:05
Debati i fundjavës për votimin e Qeverisë pritet të jetë konstruktiv, ka deklaruar mandatari, Hristijan Mickoski...

Debati i fundjavës për votimin e Qeverisë pritet të jetë konstruktiv, ka deklaruar mandatari, Hristijan Mickoski, i cili ka zbuluar edhe planin e punës së Qeverisë. Sipas mandatarit, katër shtylla bashkojnë partnerët e koalicionit: lufta kundër krimit dhe korrupsionit, përmirësimi i standardit të qytetarëve, përshpejtimi i procesit integrues dhe zhvillimi i barabartë rajonal me decentralizim të përshpejtuar.
“Këto janë katër shtyllat në të cilat unifikohet Qeveria e ardhshme dhe planifikojmë të qëndrojmë në këto shtylla. Për dallim nga shtatë vitet e kaluara, planifikojmë të jemi Qeveria më e suksesshme dhe të shohim se si e gjithë kjo do të funksionojë nga e hëna. Unë jam i bindur se do të funksionojë mirë dhe ditë të bukura vijnë për qytetarët, si për maqedonasit, shqiptarët dhe të tjerët. Nuk do t’i ndajmë qytetarët. Ata do të jenë qendra jonë dhe Qeveria e re do të bëj politika që janë në interes të qytetarëve.”, - deklaroi mandatari, Hristijan Mickoski.
Mickoski thotë se shumë shpejt pas votimit të ministrave do të përzgjidhen edhe zëvendësministrat. VMRO-së do t’i takojnë 12 poste zëvendësministrore. Ekzistojnë sinjale të përafrimit të qëndrimeve të shumicës edhe me “Frontin Evropian”, sa i takon ndryshimeve ligjore të ligjit për vetëqeverisje lokale. Ndryshimet në ligjin për vetëqeverisjen lokale të përgatitura nga VLEN-i parashikojnë emërimin e ushtruesit të detyrës kryetar komune në ato komuna ku kryetari kalon në funksion tjetër, nëse kanë ushtruar 2 vite mandat. Kjo zgjidhje ligjore duhet të pengojë organizimin e zgjedhjeve të reja në Saraj, Aerodrom dhe Gostivar para zgjedhjeve të rregullta që duhet të mbahen vitin e ardhshëm. Për votimin e tyre nevojitet shumica prej dy të tretave të votave, si dhe shumica e Badenterit.
MERAL ISMAILI
