Maqedoni

UNT, diplomoi gjenerata e gjashtë e studentëve

20.06.2024 15:51

Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup përcolli gjeneratën e gjashtë të absolventëve....

Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup përcolli gjeneratën e gjashtë të absolventëve. Me këtë rast, rektori i UNT-së, prof. dr. Izet Zeqiri, tha se kjo ceremoni është dëshmi e suksesit. Çdo vit numri i studentëve rritet dhe ka afro 5.000 studentë të regjistruar, dhe me 800 deri 1.000 që presim të regjistrohen për vitin e ardhshëm akademik, do të paraqitet nevoja për hapësira të reja. Porositi absolventët që tani pas përfundimit të studimeve të mos nënvlerësojnë mundësitë për karrierë profesionale në vendlindje dhe mos të ëndërrojnë migrimin për një vend pune, sepse edhe në vendlindje ka perspektivë.
 
“Kjo ceremoni është dëshmi e mirë se ne jemi të suksesshëm, jemi në rrugë të drejtë, po rritemi ngadalë, por sigurt dhe po zhvillohemi në të gjitha drejtimet. Në këtë kampus po festojmë për të dytin vit me radhë, festojmë suksesin tonë të përbashkët përcjelljen e gjeneratës së gjashtë të studentëve tanë që dalin nga afro 40 programe studimore dhe po aq profesione të ndryshme. Oferta e UNT-së është tërësisht deficitare dhe ne ashtu si sot nxjerrim gjenerata të arkitektëve, ndërtuesish, programues, doganier, laborant, politikolog dhe shumë profile të tjera.”, - deklaroi rektori i UNT-së, Izet Zeqiri.
 
Para absolventëve dhe të pranishmëve u drejtua edhe kryetari i Senatit të UNT-së, prof. dr. Zoran Gacovski, i cili gjithashtu shprehi dëshirën që studentët të vazhdojnë karrierën në vendin tonë dhe të kontribuojnë në përparimin dhe suksesin e ekonomisë sonë. Në absolventiadën e këtij viti u shpallën edhe studentët më të mirë.
 
FLORIJE KAMBERI