Maqedoni

Mexhiti: Balancuesi zëvendësohet me ligj për përfaqësim

21.06.2024 14:00

Balancuesi viteve të fundit nuk ka funksionuar siç duhet, prandaj do të zëvendësohet me ligj për përfaqësim të drejtë....

Balancuesi viteve të fundit nuk ka funksionuar siç duhet, prandaj do të zëvendësohet me ligj për përfaqësim të drejtë. Kështu ka deklaruar njëri nga liderët e koalicionit VLEN, Izet Mexhiti, duke theksuar se në këtë mënyrë përfaqësimi i drejtë do të bëhet obligim ligjor.
 
“E para, bashkërisht do të konstatojmë se balancuesi nuk ka funksionuar viteve të fundit, pra në fillim ka dhënë efektet e duhura, mirëpo vitet e fundit ka dhënë kundër efekt. E dimë se ka pasur shumë raste kur maqedonas janë paraqitur si shqiptar, apo shqiptarët si turq. Pra, nuk ka qenë në funksion për përfaqësimin e drejtë të komuniteteve jo shumicë në Maqedoni, prandaj këtu pajtohemi, nuk po degradohet, por po ngrihet në nivel më të lartë. Kjo të rregullohet me ligj që të jetë normë ligjore përfaqësimi adekuat dhe kualitativ.”, - deklaroi kryetari i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti.
 
Mexhiti, i cili pas votimit të Qeverisë së re pritet të jetë edhe ministër i Ekologjisë, thotë se ai do të jetë edhe zëvendëskryeministër i parë.
 
“Ne si VLEN kemi marrëveshje me mandatarin apo me kryeministrin e ardhshëm, z. Mickoski, që të kemi zëvendëskryeministrin e parë që do ta udhëheqë VLEN-i, konkretisht do ta udhëheq unë.”, - theksoi kryetari i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti.
 
Çështja e zëvendëskryeministrit të parë do të rregullohet edhe me ligj, thotë Mexhiti, duke sqaruar se aktualisht kjo çështje është e rregulluar vetëm me rregulloren e Qeverisë, ndërsa në ligjin për Qeverinë, kjo çështje nuk ka qenë e përfshirë. Sqarimi i Mexhitit vjen pas deklaratës së Aleksandar Nikollovskit nga VMRO-DPMNE-ja se nuk do të ketë zëvendëskryeministër të parë.  
 
FLORIJE KAMBERI