Maqedoni
Ageler: Nuk ka detyrim ligjor që BDI-ja të jetë në Qeveri
21.06.2024 14:17
Ankesat e BDI-së drejtuar faktorit ndërkombëtar pas koalicionimit të VMRO-DPMNE-së me koalicionin VLEN...

Ankesat e BDI-së drejtuar faktorit ndërkombëtar pas koalicionimit të VMRO-DPMNE-së me koalicionin VLEN, e jo me “Frontin Evropian”, të udhëhequr nga BDI-ja, ambasadorja amerikane, Angela Ageler, i sheh si pa bazë ligjore. Ageler, në një intervistë për “360 gradë” tha se fituesi është ai që zgjedh partnerët, por edhe se “Fronti Evropian” dhe VLEN-i janë koalicione. Për të është e rëndësishme që në qeverisje të ketë diversitet.
“VMRO-DPMNE-ja zgjodhi partnerin – VLEN-in, i cili gjithashtu është koalicion, ashtu si “Fronti Evropian”, i udhëhequr nga BDI-ja. Për këtë kam biseduar me një numër zyrtarësh të BDI-së dhe të tjerë dhe nuk ka asnjë detyrim ligjor se me kë hyni në koalicion. Partia që fitoi zgjedhjet pati mundësinë dhe zgjodhi të krijojë një koalicion me grupet minoritare në vend. Është me rëndësi të madhe, sepse ajo që i bën të dyja vendet tona kaq të pasura është diversiteti, grupet dhe komunitetet e ndryshme etnike dhe ajo që ato sjellin në demokracitë tona. Prandaj, jam e kënaqur që Qeveria është e përbërë nga grupe të ndryshme dhe nuk ka asnjë detyrim ligjor që BDI-ja t'i bashkohet Qeverisë. E di që ka çështje ligji kundrejt legjitimitetit, por fakti është se VMRO-DPMNE-ja zgjodhi partnerë nga komunitete të ndryshme në vend dhe kjo është e drejtë e tyre.”, - deklaroi ambasadorja e ShBA-së, Angela Ageler.
Duke u nisur nga përvoja e saj në vendin tonë, Ageler tha se ka shumë mundësi që individë dhe grupe të ndryshme, parti politike dhe liderë të thonë se kanë mosmarrëveshje dhe se janë të shqetësuar, dhe e gjithë kjo është pjesë e një demokracie “të gjallë”.
Deklarata e Agelerit vjen pasi kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, në emër të koalicionit të “Frontit Evropian”, bëri thirrje për betejë për respektimin e frymës së Marrëveshjes së Ohrit dhe respektimin e të drejtës së përfaqësimit nga ata që kanë legjitimitet në komunitet. “Fronti Evropian” ka nënshkruar deklaratën politike për Legjitimitetin Etnik Zgjedhor dhe sipas kësaj deklarate, shpërfillja e legjitimitetit mundëson vendosjen e hegjemonisë etnike dhe paraqet poshtërim ndaj shqiptarëve, turqve, romëve, boshnjakëve dhe të tjerëve.
SANIJE DURAKU
