Maqedoni

Drejtoria për punë hidrometeorologjike: Maqedonia e Veriut kaplohet nga i nxehti afrikan

21.06.2024 14:36

Vapa intensive po vazhdon të djegë Evropën Jugore këtë javë....

Vapa intensive po vazhdon të djegë Evropën Jugore këtë javë. Zyrtarët shëndetësorë paralajmërojnë njerëzit të qëndrojnë të strehuar në ambiente të freskëta. Erërat nga Afrika e Veriut po rrisin temperaturat në Evropën Jugore, përfshirë Italinë dhe vendet e Ballkanit. Në vendin tonë, temperaturat arritën deri në 40 gradë celsius. Zona më e nxehtë sipas vlerave kufitare të parashikuara dhe të llogaritura të temperaturave ekstreme është lugina e Pollogut dhe ajo e Shkupit në nivel portokalli, njoftoi Drejtoria për punë Hidrometeorologjike.
 
“Temperatura minimale do të jetë prej 14 deri në 21 gradë, ndërsa ajo maksimale do të arrijë nga 34 deri në 40 gradë. Indeksi UV do të jetë 9. Në Shkup do të mbajë mot me diell dhe shumë i nxehtë, me temperatura maksimale deri në 40 gradë.”, njoftojnë nga DPH-ja.
 
Sinoptikanët thonë se këto zona do të vazhdojnë të jenë nën ndikimin e një mase ajrore shumë të nxehtë nga jugu, por pritet të freskohet ditën e fundit të javës.
 
“Të dielën në anën tjetër do të ketë kushte për paraqitje lokale të reshjeve të rrëmbyeshme, bubullima dhe erë të forte. Paradite koha do të jetë me diell dhe shumë e ngrohtë me vranësira të ulëta deri në mesatare. Pasdite kryesisht në zonat malore do të ketë paraqitje lokale të shiut të rrëmbyeshëm.”, njoftojnë nga DPH-ja.
 
Gjatë këtyre ditëve të nxehta, plani i veprimit të Qeverisë parashikon: përjashtim nga detyrimet e punës për grupet më të rrezikuara të popullsisë: gratë shtatzëna dhe personat mbi 60 vjeç; në ambientet e kujdesit për fëmijët (kopshtet) nuk duhet të praktikohet aktiviteti fizik dhe fëmijët të mos dalin jashtë në periudhën nga ora 11:00 deri në orën 17:00. Temperaturat rekord të ditëve të fundit besohet se kanë shkaktuar qindra viktima në Azi dhe Evropë. Në Arabinë Saudite, pothuajse dy milionë myslimanë shkuan në Xhaminë e Madhe të Mekës, por qindra vdiqën për shkak të temperaturave ekstreme që kaluan 51 gradë Celsius.
 
FARIJE DAUTI BAKIJU